Hajvania e QNRobtillit

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 28 October 2019 10:45

Pisllëku i radhës i vishet Ministrisë së Infrafakturës së Pal Lekajt, i cili së fundmi nënshkroi tender me vlerë 26.000 eurosh për blerjen e rrobave elegante dhe këpucëve të lëkurës për 150 punonjësit e kësaj ministrie. Ja se pse Kosovës aq shumë i është dashur ndryshimi dhe i duhet. Hajnat i kemi pasur të paskrupullt e kjo është vetëm edhe një dëshmi e vogël në mesin e mijëra dëshmive të tjera

Vjeshta ka marrë hovin e saj dhe zymtësia në qytetin e Londrës sa vjen e shtohet. Nuk e dua vjeshtën në këtë qytet, ndërsa dimrin edhe aq më pak.

Mirëpo java kalon shumë shpejt dhe koha për të shkruar ditarin tim arrin aq shpejt dhe ja ku po i hedh këta rreshta në këtë mëngjes të hershëm tetori.

Java të cilën e lamë pas në Kosovë u karakterizua me kërkesa partish dhe ankesa mbi rinumërimin e votave. Të tilla pati nga partia NISMA çdo ditë të përcjella me nga një konferencë për shtyp. Ankesa kryesisht ndërlidhet me argumentin e tyre se nëpër shumë vendvotime votat e tyre u janë bartur partive të tjera dhe kjo e ka shkaktuar moskalimin e pragut nga ana e tyre. Mbarëvajtja e ditës së votimeve, procesi i numërimit të shpejtë të votave më 6 tetor gradualisht po zbehet nga rinumërimi i kutive të votimeve. Deri më tash KQzlZ solli vendim për numërimin e 500+ vendvotimeve. Mirëpo zyrtarisht ende nuk ka ndonjë konfirmim (përveç konferencave për shtyp të NISMA-s) se ajo, NISMA, e ka kaluar pragun prej 5% të votave.

Dje me t’u zgjuar herët në mëngjes hapa ambasadën time. Më nevojitej grumbullimi i materialit për përmbledhjen e ditarit tim të radhës. Nuk më është dashur shumë kohë që të arrija tek skenat, të cilat përcilleshin LIVE nga shumë agjenci dhe portale lajmesh. Njerëz të veshur me rroba mbrojtëse, si dhe me maska të fytyrës, të cilët po punonin me aq zell. Jo, nuk ishin kimnonet e presidentit Hashim Thaçi, edhe pse ai prapë është në udhëtim zyrtar në Japoni. Fillimisht mendova se mund të jetë ndonjë zbulim i NASA-s pasi që në kabllograme të shumta të ditëve të fundit kisha lexuar se shumë shpejt do të pritej njoftimi nga ana e tyre për ekzistencën e jetës jashtë planetit tonë dhe mendja më shkoi se kjo mund të ishte ajo gjë. Si duket do të bëhej fjalë për ndonjë jetë të formave mikrobiologjike.

Mirëpo logon e NASA-s nuk e pashë në asnjë rast e as në transmetimin e drejtpërdrejtë të agjencive të lajmeve dhe portaleve. Nuk do të mund të bëhej fjalë për havarinë në Çernobil pasi që tashmë ai vend është jofunksional për dekada të tëra. Ky duhet të jetë zbulimi i radhës nga CERN-i mendova, por këtë mendim ma ndërpreu një titull në ekran, ku për një çast e pashë mbishkrimin Kosova. Uou – mendova me vete - si duket më në fund edhe ne do të dalim me një zbulim shkencor të radhës. A mund të ishte ndarja e grimcave subatomike në pyetje? Ndoshta zbulimi i kompjuterit kuantik? Ndoshta bëhej fjalë për zbulim të mikroorganizmave të panjohur deri më tash për shkencën! Pas titullit të radhës në ekranin televiziv kërshëria ime u shua. Ishte hajvania e QNRobtillit. KQZ-ja kishte marrë vendim për verifikimin dhe numërimin e votave të ardhura nga Serbia dhe pas përvojës me kutinë, e cila e shkaktoi “helmimin” e 26 vëzhguesve dhe dërgimin e gjysmës së tyre në QKUK, tashmë ishin marrë masat preventive në Qendrën për Numërimin e votave.

Po nxirreshin votat nga kutitë dhe fletëpalosjet nga zarfet prej njerëzve me uniforma preventive dhe me maska në fytyrë! Kohë pas kohësh ashtu mbi kokë iu qëndronin ca njerëz të tjerë me maskë në fytyrë, por në këmishë me mangë të shkurtra pa rrobe mbrojtëse po ashtu, edhe ca të tjerë ashtu pa rrobat mbrojtëse. Vetë këto skena e bënin këtë pamje jokredibile e aq më shumë edhe qesharake. Së fundmi ose do të duhej të numëroheshin këto vota të sjella nga Serbia në mënyrë jo të rregullt, ndërsa votat e diasporës të cilat për shkakun e falimentimit të një aviokompanie sllovene nuk kanë arritur në KQZ më datën e caktuar, me gjithë faktin se datat e pranimit të tyre nga shërbimet e ndryshme postare janë shumë më të hershme. E gjitha kjo më bën të dyshoj atë të cilën janë duke e thënë edhe shumë të tjerë se rezultatet e zgjedhjeve dëshirohen të manipulohen së paku në atë nivel që NISMA të kalojë pragun zgjedhor. Në mënyrë që të jenë edhe disa opsione me kalkulime opsionale. Për të konfirmuar këtë dyshim janë edhe thirrjet sporadike të disa nga anëtarët e LDK-së për koalicion me NISMA-n. Këto gjeste janë që të testojnë publikun dhe të mësojnë në një ide të tillë e pse jo edhe të dërgojnë mesazh indirekt te partneri potencial i koalicionit të tyre, VV-së, se në horizont mund të ketë edhe opsione të tjera politike.

Mirëpo është mirë që t’ua rikujtojmë këtyre individëve në kuadër të LDK-së se votuesi e ka pritshmërinë e ndryshimeve në qeverisje NISMA dhe AKR, partneri i saj ligjor i koalicionit nuk përfaqëson atë pritshmëri as për së afërmi. Prandaj këto sjellje tugjareske prej disa anëtarëve të tyre nuk u bëjnë nder, përkundrazi LDK-në e shpërfaqin shumë joparimore dhe me qasje tugjareske politike, aktivitete prej të cilave qytetari, votuesi, si dhe vetë Kosova janë lodhur tash e 20 vjet.

* * *

Ja tani, duke e shkruar ditarin tim, sapo e pashë kabllogramin e radhës “Raporti zviceran konstaton se Astrit Dehari dyshohet që është vrarë”. Po qe se jeni lexues i rregullt i ditarit tim, mund t’u ketë rënë në sy se asnjëherë nuk jam marrë me këtë temë për shkak të ndjeshmërisë së këtij rasti. Ata prindër të përvuajtur dhe të nëpërkëmbur nga shteti këtyre viteve, me gjithë tragjedinë e tyre, tashmë kanë një dokument të qëndrueshëm ligjor me anë të të cilit do të mund të kërkojnë hetime të reja dhe të plota për atë se çfarë në fakt ka ndodhur në Qendrën për Paraburgim në Prizren.

Ky rast, kur t’i shkohet deri në fund, duhet t’i shohë prapa grilave shumë njerëz, të cilët abuzuan me drejtësinë në Kosovë qoftë nga pozitat e tyre zyrtare, të cilat i kanë ushtruar, qoftë me deklarimet e tyre të bëra publike, shumë njerëz duhet dhënë përgjegjësi. Hetimet do të duheshin të bëheshin edhe për vdekjen e Naser Makollit, i cili ndante qelinë me Astrit Deharin, i cili vdiq disa muaj më pas.

Hetimet duhet bërë edhe mbi vdekjen e dyshimtë të Arbnor Deharit. Kosovën nuk mund ta shndërrojmë në shtet monstrum! MJAFT MË! Koha e fundit që drejtësia të zgjohet nga letargjia në të cilën ka rënë dhe të fillojë ta ushtrojë detyrën e saj, dhe duke u shkapur nga ndikimet politike.

Vrasësit, urdhëruesit (nëse ka të tillë), të identifikohen, të gjykohen me dënimet më të rrepta dhe asnjë zyrtar shtetëror të mos lirohet nga llogaridhënia për mënyrën se si e kanë trajtuar këtë rast dhe sjelljet e tyre në detyrat zyrtare. Shpeshherë kthimi në pikën 0 është gjëja më e mirë që mund të ndodhë në mënyrë që të evitohen mangësitë e shumta e këtu nuk bëhet fjalë për mangësi, por për abuzim total mafioz me shtet dhe me ligj. Nuk e dua një shtet të tillë e nuk e do as ti lexues i ditarit tim. Astriti ka mundur të jetë edhe fëmija im, edhe fëmija yt. E kuptoj atë dhimbje prindi dhe të jesh në lëkurën e prindërve të Astrit Deharit këtyre ditëve është gjë shumë e vështirë edhe e rëndë.

Shumë jam i trandur nga ky kabllogram dhe shpirti im nuk do të gjejë qetësinë përderisa kësaj pune nuk i shkohet deri në fund, ashtu siç e përshkrova më lart. Koha e fundit që Kosova të ndahet nga pisllëqet, të cilat ndodhën 20 vjetët e fundit, e shumë nga ne e zgjodhëm heshtjen me gjithë të këqijat që po na i gërryenin kockat çdo ditë e më shumë.

Pisllëku i radhës i vishet Ministrisë së Infrafakturës së Pal Lekajt, i cili së fundmi nënshkroi tender me vlerë 26.000 eurosh për blerjen e rrobave elegante dhe këpucëve të lëkurës për 150 punonjësit e kësaj ministrie. Ja se pse Kosovës aq shumë i është dashur ndryshimi dhe i duhet. Hajnat i kemi pasur të paskrupullt e kjo është vetëm edhe një dëshmi e vogël në mesin e mijëra dëshmive të tjera. Shtet hajnash e vrasësish dhe kidnapuesish, të cilët duhet çmontuar një nga një pavarësisht rezistimit të tyre me forcën politike apo fshehjen pas partive politike.

Kosovën do ta bëjmë ashtu të bukur, stoike dhe krenare për secilin banor të saj, pavarësisht përkatësisë etnike. Kosova e përvuajtur qindravjeçare lëngon për një gjë të tillë e këtë ua kemi borxh brezave të flijuar për atë Kosovë, këtë ua kemi borxh edhe Arbnor dhe Astrit Deharit!

P. S. Albin, ti ishe në Londër javën që e lamë pas. E patëm mundësinë e një takimi të shkurtër rasti, si dhe disa fotografi të atij çasti. E di bisedën tonë të para 5 vjetëve mu në Londër, të cilën nuk do ta shpalos në ditarin tim.

Një fotografi publike me ty zgjoi kërshërinë e shumë njerëzve nëse unë vërtet do të emërohesha ambasador në Britaninë e Madhe. Unë gjithmonë do ta përkrah luftën kundër së keqes dhe ajo na ka bërë që shpeshherë edhe pa qenë unë VV të na kryqëzohen rrugët tona. Nuk kam ambicie politike dhe nuk kërkoj asnjë shpërblim me asnjë pozitë politike, unë vetëm e kryej detyrën e një qytetari aktiv, borxhliut të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Zoti05/11/2019 15:06

Ke sjellë vërtet freski në shkrimet e Kohës. Vetëm tëndin e lexoj. Pata një takim në zyren tuaj kur punoje në një bank në Kosovë. Edhe pa thënë shumë kuptova shumë nga ai takim. Punë të mbarë!

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani