Vështrime

Na keni lodhur

E keqja në mesin e gjithë këtyre lajmeve të këqija që po zbulohen dita më ditë në këtë vakum, është se të këtilla skandale do të jenë me mijëra e që mbesin të pazbuluara; pa dënim për ata që i shkaktojnë, e me pasoja të rënda për ne që duhet të jetojmë me to. E kjo e keqe duhet ta ketë një kufi – dhe zgjidhjen duhet gjetur pushteti i ri, me gjithë faktin që ky nuk do ta ketë një shkop magjik që mund t’i ndreqë gjërat përnjëherë. Porse është fakt se ky vend nuk do të mund të mbijetojë edhe gjatë pa pasur sundim të ligjit.

Andej kah zgjedhjet nuk ka asgjë të re, natyrisht, sepse thuajse një muaj më vonë, ende nuk e dimë se kush sa vota i mori. Për më tepër, nuk janë publikuar as rezultatet pas shumë rinumërimeve që u bënë, në formën e rezultateve preliminare. Kështu, tema e nxehtë e zgjedhjeve vazhdon të jetë e njëjta: a po e kalon NISMA pragun apo jo. Se pse është me rëndësi kjo çështje është se pa NISMËN në Kuvend, VV-ja dhe LDK-ja e sigurojnë shumicën e thjeshtë për t’i krijuar institucionet të vetme. Me NISMËN brenda, duhet qasur votave të të tjerëve për të qeverisur vetë, me ca ndihmë nga pakicat joserbe.