Vështrime

Banesa ime ka sy

Me katrahurën ndërtimore, koncepti i qytetit kosovar ka pësuar goditje serioze, saqë vetëm një fije e ndan nga një vendbanim joformal. Megjithëse me vonesë, shoqërisë kosovare i duhet mobilizim për ta ruajtur dhe zhvilluar më tej konceptin e qytetit. Të atij qyteti, të cilin banorët e tij e përjetojnë si të tyre dhe ku mijëra ngrehina betoni nuk kundrohen si agresor ndaj llojit njeri

Banesa ime ka sy e veshë, porse jo “certifikatë të lindjes”. Prej afro një dekade 71 metra katrorë të hapësirës sime të banimit janë ilegale. Kështu së paku trajtohen në aspektin ligjor. Prej atëherë e tash, unë vazhdoj të paguaj tatim për banesën time ilegale, e cila është vetëm njëra në 46 mijë ndërtimet që presin legalizimin në kryeqytetin e Kosovës.