Letër e hapur akterëve politikë që synojnë marrëveshjen

Luljeta Pula Luljeta Pula 09 December 2019 16:55

Jemi lodhur të gjithë duke pritur marrëveshjen! Dhe formimin e qeverisë më në fund! Jemi lodhur të gjithë duke pritur ndryshimin e premtuar! Po e shohim të gjithë se kërkesat, këmbëngulja, inatet e kapriçot e të dyja palëve rrezikojnë marrëveshjen dhe koalicionin. Shohim kalkulime e kalkulatorë nga të dyja palët. Shohim interesa grupore, klanore, partiake e meskine të jenë ngritur mbi interesin e shenjtë shtetëror.

Kjo zvarritje e qëllimshme e të dyja palëve ka një kosto marramendëse! Për vendin dhe për popullin. Dëmi që po i bëhet vendit është edhe i madh edhe i dukshëm. Është e qartë se dikujt po i intereson dhe po i përgjigjet kjo zvarritje. Dhe kumti i saj i zi. Nuk kanë fare rëndësi prapaskenat e të dyja palëve. As llogaritë, as qëllimet e as pazaret.

Ne nuk e dimë kush qëndron prapa kësaj dhe kush tërheq penjtë e kësaj loje të rrezikshme. E dimë vetëm se në mënyrë të palejueshme humbet koha e çmuar. Koha për punë në luftën kundër korrupsionit, puna për drejtësinë e sundimin e ligjin, për arsimin, punësimin, zhvillimin ekonomik e shëndetësinë, dhe shumë fusha të tjera në vend që janë në kolaps. E dimë vetëm se kjo humbje kohe po e çon vendin në ambis! Duke i shtyrë e zhvendosur problemet dhe proceset e rëndësisë vitale për vendin në pafundësi. Ndërsa për ironinë e skajshme, nuk hezitohet të përmenden edhe zgjedhjet e reja! Sepse këta nuk duan të merren vesh! Sepse këta nuk na qenkan të gatshëm të merren vesh e të lëshojnë pe! Dhe nuk qenkan të gatshëm të bëjnë kompromis. As për interesin suprem të shtetit!

Po a vlejnë më shumë kalkulimet, interesat e vogla partiake, kërkesat dhe pretendimet vetjake se sa interesi shtetëror e kombëtar?! Dhe nuk ka fare rëndësi se cili është i drejtë në këtë mes. Se kush ka të drejtë për pretendimet, kërkesat, llogaritë, interesat dhe imponimet. Askujt nuk i intereson të dijë detaje nga kërkesat, presionet, shantazhet e as pazaret e të dyja palëve.

Dimë vetëm se ka zhgënjim e dëshpërim të thellë të qytetarëve për abuzimin e vullnetit e votës së tyre. Me shumë të drejtë! Ata duan të dinë ku mbeti vullneti i tyre për ndryshim dhe ku mbetën premtimet e të dyja palëve për ta jetësuar atë. Ky është perceptimi kolektiv i qytetarëve të lodhur e të sfilitur që kanë varur shpresat tek ky koalicion. Dhe ky popull është i lodhur nga pritja e zbardhjes së fshehtësisë së kalkulimeve që kanë vënë murin mes palëve. E të lodhur nga pritja e deklarimeve të “kujdesshme” të protagonistëve të tyre që mbajnë peng shpresën e tyre për marrëveshje.

Është koha e fundit që ndërgjegjja e përgjegjësia e tyre më në fund të zgjohet! Është koha e fundit që këta njerëz të gjejnë forcën e të ngrihen njëherë e mirë mbi interesat e vogla e meskine në emër të interesit madhor shtetëror!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

ferat avdiu10/12/2019 12:59

Të gjithë po dinë si po zvariten punët dhe të gjith heshtin.Më e ranë është kur inteligjenca heshtë e për ngjarje kaq të rëndësishme për vendin .Më në fund u lajmërua nji zë por i vetmuar por pa e cakëtu faktorin.Nëse nuk caktohet që cili është fajtorë punët zgjaten KUSH mundë të reagon profesor deputet kan të ardhura të mëdha dhe e ruajnë rahatin për të pa punët të mendoin ata vet kan kohë.

Shto koment