Apel - Disa impulse lidhur me bisedimet e reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Frank Hantke Frank Hantke 14 December 2019 14:09

Disa nga “zgjidhjet e shpejta” në Ballkanin Perëndimor kanë shkaktuar probleme afatgjata. Prandaj, duhet t’i rezistohet tundimit për të shtuar një episod tjetër në këtë zinxhir të zgjidhjeve të pafrytshme

Në një kohë kur mund të duket gjithnjë e më e zakonshme të gjesh shpejt zgjidhje komplekse për problemet edhe më të vështira, sigurisht që ia vlen të reflektosh njëherë për të parë nëse qasjet e deritanishme kanë qenë vërtet efektive. Gjithashtu, ia vlen që njëherë të mendojmë “ndryshe”, në mënyrë që, të themi, të çlirohemi nga bllokimi në korsenë e mospajtimeve.

Me sa duket, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjenden në një korse të tillë. Për vite me radhë, aktorët përkatës janë përpjekur të gjejnë zgjidhje për një konflikt që kishte arritur kulmin e tij vetëm 20 vjet më parë në një luftë mjaft të ndyrë.

Në këtë dialog nuk janë vetëm dy aktorët kryesorë, Kosova dhe Serbia, por këtu – hapur ose fshehtas – janë përfshirë një seri e tërë aktorësh të tjerë. Megjithatë, kontributi i tyre duket se më shumë udhëhiqet nga interesat e tyre. Kurse një gjë e tillë nuk mund të thuhet për BE-në, sepse ajo nuk ka as interes të formuluar të përbashkët.

Paraqitja e deritanishme mund të quhet një kakofoni e interesave, por natyrisht që nuk mund të flitet për një dialog të orientuar nga synime të qarta. Dhe kështu lind pyetja nëse duhet të ketë një “vazhdim të tij”, apo nëse duhen gjetur ide të reja për të gjetur zgjidhje më të mira dhe më efektive.

Aktorë të rinj ulen në tryezë

Në Kosovë aktualisht po formohet një qeveri e re, me partnerë koalicioni të cilët kanë kundërshtuar “formën e dialogut” të deritanishëm. Ata me siguri do të duan të veprojnë ndryshe nga aktorët e mëparshëm, të cilët synonin dobësimin e pozitës së njëri-tjetrit: Presidenti pa mandat, kryeministri pa shumicë, opozita pa fuqi zbatuese. Deklaratat fillestare të kryeministrit të ardhshëm tregojnë se ekziston interesi për dialog.

Por paraprakisht synohet të arrihet transparencë dhe pranim në shoqëri, gjë që do të thotë duhet të sigurohet mbështetje e mjaftueshme në vend për udhëheqësit e dialogut. Kjo mbështetje duket shumë e nevojshme. Edhe në BE është formuar kabineti i ri dhe do të ketë aktorë të rinj, të cilët do të mund ta moderonin një dialog të vërtetë. Por moderimi duhet të kufizohet në atë për çka është thirrur: duhet të jetë moderim objektiv dhe i orientuar drejt qëllimit.

Përveç qëllimit mbizotërues për zgjerimin e BE-së përmes integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në dialog nuk duhet të përfshihen interesa vetjake apo ide riorganizimi nga ana e moderatorëve. Përndryshe, as ky moderim nuk do të pranohej nga dy palët në aspektin afatgjatë – ashtu siç ka ndodhur edhe më herët.

Mësime nga përvojat evropiane

Evropa ka një traditë të gjatë të konflikteve të armatosura, armiqësive, etj. dhe ka pasur mënyra dhe përvoja shumë të suksesshme për zgjidhjen e armiqësive, ndërtimin e partneriteteve, apo edhe për arritjen e zgjidhjeve përfundimtare të problemeve. Rreth këtyre përvojave do të mund të orientoheshin përpjekjet e Evropës në Ballkanin Perëndimor.

Mirëpo, e përbashkëta e këtyre shembujve pozitivë të Evropës është që: Nuk kishte zgjidhje të shpejta – përkundrazi.

Armiqësia e thellë ndërmjet Gjermanisë dhe Francës me siguri nuk mund të përfundonte pas Luftës së Dytë Botërore me një zgjidhje të shpejtë që do të ishte pranuar nga të gjithë. Përkundrazi, duheshin shumë hapa të vegjël për të arritur marrëveshje në raste të interesave pjesërisht të përbashkëta, me zbatimin e të cilave fillimisht mund të ndërtohej besimi.

Duke u nisur nga këto arritje, ka qenë e mundur që bashkërisht të bëheshin hapa të mëtutjeshëm. Nga një bashkim fillestar ‘‘i qymyrit dhe çelikut‘‘ midis dy vendeve më vonë u bë Bashkimi Evropian, i cili – siç e dimë – është shumë larg përfundimit. Në fund të fundit, ne kemi ndjekur këtë rrugë tashmë prej më shumë se gjysmë shekulli.

Ne gjithashtu e dimë se idetë për një rezultat përfundimtar të mundshëm për Evropën janë shumë të ndryshme në vendet dhe në mesin e aktorëve të ndryshëm – nga një partneritet i thjeshtë i politikave ekonomike, deri te “Shtetet e Bashkuara të Evropës”. Megjithëkëtë, rruga evropiane do të vazhdohet bashkërisht, edhe nëse për momentin është rrugë shkëmbore.

Rruga është vetë caku

Kur Willy Brandt në Gjermaninë Perëndimore kishte nisur, në fillim të viteve 1970, t’ia hapte derën Lindjes, me politikën e tij lindore, ai e kishte bërë këtë kundër rezistencës më të madhe jo vetëm në vendin e tij. Në atë kohë madje kishte ngjashmëri me situatën e sotme në Ballkanin Perëndimor.

Ish-RDGJ në Republikën Federale të Gjermanisë shkruhej në thonjëza "RDGJ", ose madje i referoheshin edhe si "zonë e pushtuar nga sovjetikët". Për një kohë të gjatë ka pasur probleme me njohjen ndërkombëtare, etj. Pjesë thelbësore e rrugës së Willy Brandtit ishte mosformulimi i ndonjë qëllimi përfundimtar të këtyre përpjekjeve, e lëre më që të vendosej në tryezën e bisedimeve, por thjesht të trajtoheshin dhe zgjidheshin çështjet aktuale dhe problemet e njerëzve në të dyja vendet në hapa të vegjël, ndonjëherë shumë të vegjël.

Kështu mund të arriheshin marrëveshje të besueshme për atë që dukej se ishte e mundur për të dyja shtetet në atë kohë. Edhe këtu nganjëherë kishte pengesa, por qëndrueshmëria e asaj rruge sigurohej duke mos luajtur kurrë "të gjitha ose asgjë". Qe vetëm 20 vjet më vonë mund të ndodhte bashkimi i Gjermanisë, këtë madje as optimistët më të mëdhenj nuk e kishin pritur në fillim të këtyre përpjekjeve.

Përse elita?

Ekziston thënia e dëshmuar në politikë: “Kush negocion nuk qëllon”! Prandaj, negociatat e vërteta dhe serioze ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në vetvete mund të konsiderohen si paqe-ruajtje. Sidoqoftë, për aq kohë sa të dyja palët kanë në mendje vetëm rezultatin përfundimtar përkatës, nuk mund të zhvillohet një dialog i frytshëm.

Kjo për shkakun se qëllimet e dy palëve janë shumë larg njëri-tjetrit, madje ato kundërshtojnë njëri-tjetrin diametralisht. Dhe kur pala ndërkombëtare e tretë, e katërt dhe e pestë shtojnë interesat e tyre, si dhe pafuqinë kolektive, vështirë se mund të ketë një zgjidhje të zhvilluar bashkërisht dhe të pranuar nga njerëzit e prekur.

Prezantimi i një ‘‘zgjidhjeje‘‘ të shpejtë në fund të një labirinti politik do të tregonte një dështim total. Për më tepër, një "zgjidhje e menjëhershme" e konfliktit përmes shkëmbimit të territoreve midis dy vendeve nënkupton gjithashtu pranimin e dështimit total dhe braktisjen e disa synimeve të pakta të mbetura, të politikës së të ashtuquajturit Perëndim ndaj Ballkanit Perëndimor.

Qasja e re ndaj dialogut ka nevojë për parakushte të reja

Kushdo që është ulur ndonjëherë në një tryezë bisedimesh i di disa kushte të rëndësishme për të pasur sukses. Ato përfshijnë respektin e ndërsjellë mes aktorëve, si dhe për argumentet e tyre. Ato, gjithashtu, përfshijnë aftësinë për të hequr nga tryeza çfarëdo që për momentin duket e panegociueshme, dhe përqendrimi në atë që është e mundur.

Në rast se nevojitet apo ftohet një moderator, detyra e tij kufizohet në atë që në mënyrë neutrale t’i bëjë bashkë mundësitë të cilat dalin nga negociatat e udhëheqësve të dialogut. Një pikë e fundit, por thelbësore, është që palët të flasin “vetëm me një zë”.

Në rastin tonë, ata gjithashtu kanë nevojë për miratimin e gjerë të secilit qëndrim nga njerëzit në vendet e tyre. Pothuajse asnjëra nga këto nuk është parë më herët në të ashtuquajturin dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë!

Stabilizimi i arritjeve dhe zbatimi në mënyrë të pakthyeshme

Sidoqoftë, edhe ky "dialog" jashtëzakonisht i dobët ka sjellë disa rezultate. Por në vend që këto rezultate të zbatoheshin dhe stabilizoheshin plotësisht nga të dyja palët, gjithnjë e më shumë gjëra viheshin vazhdimisht në tryezë.

Kështu nuk mund të ketë përparime në një shkallë të gjatë negociatash! Vetëm besimi në rezultatet e deritanishme, i cili mund të arrihet vetëm përmes zbatimit të tyre të plotë, siguron një bazë solide për hapa të mëtejshëm në rrugën e gjatë për një partneritet të besueshëm midis dy fqinjëve, i cili u nevojitet atyre për t’u anëtarësuar në BE.

Kjo nuk kërkon një "zgjidhje të shpejtë", por një strategji dhe udhëheqje negociuese solide. (Madje, jo të gjitha problemet fqinjësore midis shteteve anëtare të BE-së janë eliminuar përfundimisht, por ato kanë arritur në një fazë ku nuk mund të ketë kthim të armiqësisë mes tyre).

Më ngadalë dhe së bashku mund të arrihet më shumë

Disa nga “zgjidhjet e shpejta” në Ballkanin Perëndimor kanë shkaktuar probleme afatgjata. Prandaj, duhet t’i rezistohet tundimit për të shtuar një episod tjetër në këtë zinxhir të zgjidhjeve të pafrytshme. Pra, edhe atëherë kur mund të duket si sukses në afat të shkurtër.

Një gjë e tillë për njerëzit e Ballkanit Perëndimor duket krejt ndryshe. Prandaj, ata duhet të përfshihen në këtë udhëtim të gjatë dhe të vështirë. Ata nuk mund të bëhen përsëri viktima të “pazareve”.

(Frank Hantke është drejtor për Kosovë i Fondacionit gjerman, Friedrich Ebert Stiftung).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment