Ujku lyp mjegull…

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 30 December 2019 10:07

Mjegullat politike do të bien edhe për një kohë të gjatë në këtë vend, të cilin e kanë nëmur vetë njerëzit e tij. Ujqit e vjetër do të vazhdojnë që ta shfrytëzojnë mjegullën të cilën e krijuan vetë me dekada të tëra, dhe ashtu në grup qysh ata funksionojnë të vazhdojnë të gjuajnë për prenë e tyre, në mënyrë që të sigurojnë vazhdimësinë e llojit të tyre

Nëse ky dështim i koalicionit është një shmangie e organizuar në mënyrë që të zvarritë pjesëmarrjen e Kosovës në proceset delikate nëpër të cilat duhet të kalojë, përderisa nuk definohen disa projekte të tjera më madhore gjeopolitike në botë, atëherë këtë rol e kanë përmbushur me shumë sukses së paku në sytë e publikut të frustruar vendor. Sa i përket bashkësisë ndërkombëtare, atje pasuli hahet kokrra-kokrra dhe nuk jam i sigurt nëse ky blof për blerje kohe do të ketë mundur të kalojë pa u “vërejtur” e për pasojat ato vetëm do të mund t’i imagjinojmë.

Periudhat festive të fundvitit nuk janë pjesa ime më e preferuar e vitit, por pavarësisht preferencave të mia atë që njeriu e shpiku për të matur rrotullimin e Tokës rreth Diellit dhe e quajti kalendar, ai vazhdon që t’i shënojë ditët ashtu si vijnë edhe shkojnë ato. Me gjithë faktin se për termet kozmike sigurisht se ajo gjë nuk ka kurrfarë kuptimi, neve vdekatarëve në Tokë na shërben si mjet për t’i evidencuar ngjarjet në kuadër të një koncepti të quajtur kohë. Në kuadër të këtij koncepti nesër, më 26 dhjetor 2019, do të duhej që të mbahej mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Tashmë edhe e kuptuam se marrëveshje të koalicionit midis VV-së dhe LDK-së nuk do të ketë. Nëse nesër në orët e paradites (edhe këto pjesë përbërëse të kalendarit) nuk do të ketë ndonjë intervenim nga shtetet e huaja mike me ndonjë trysni nga ana e tyre, atëherë Kosova do të hyjë në një periudhë me shumë pikëpyetje.

Mendoj se këtë çështjen e këtij koalicioni, pritshmëritë e qytetarëve i kam shtjelluar mjaft në ditarin tim, dhe qysh nga dita e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit dhe rënia e Qeverisë së Kosovës unë kam qenë mbështetës i një koalicioni të tillë. Amnozitetet dhe jobesimi ndërmjet njëra-tjetrës i ka bërë këto dy parti që në fund të ditës të mos duken asgjë ndryshe se nga e gjithë ajo që na është servuar në politikën kosovare 20 vjetët e fundit.

Shteti dhe pushteti mbesin dy tema dhe nocione aq të largëta ndërmjet vete. Për pushtet secila parti kosovare deri më sot na e ka treguar se çka në fakt janë në gjendje të bëjnë në mënyrë që të arrijnë apo të mbajnë atë, varësisht nga këndi i vështrimit. Po shteti? Eh, po shteti është ai dertin e të cilit asnjëra parti nuk e ka, përjashto këtu periudhën e zgjedhjeve kur premtimet boshe dhe megalomane për kërkesën e votës së qytetarit dhe rregullimin e kualitetit të jetës së tyre dhe shtetit arrijnë në stratosferë.

Si duket do të mbetet mision i pamundur ndarja e partive politike prej mentalitetit të deritanishëm të tyre. Njëri nga skenarët e mundshëm do të jetë shkuarja e vendit në votime të jashtëzakonshme. Mirëpo a janë të vetëdijshme partitë politike, si dhe pretendentët e tyre për deputetë se sa qesharakë dhe joseriozë do të dalin në sytë e popullit. Paramendojeni LDK-në prapë në fushatë me sloganin “Beso”, ose Vetëvendosje me sloganin “Erdhi dita”. Personalisht jam i mendimit se sfida më e madhe e partive politike po qe se zgjedhjet e reja do të ndodhnin do të ishte pikërisht bindja e qytetarëve për të dalë dhe për të votuar. Çfarë ndryshimi mund të presin ata realisht nga një palë zgjedhje të reja.

Kosova me të vërtetë nuk e ka pasur këtë luks për këso sjelljesh të sedrave të lënduara partiake e ambicieve të sëmura të individëve në to.

Pakënaqësitë më të mëdha të matura dhe të regjistruara të shqiptarëve në vitin 2019 kanë qenë fitorja e Eneda Tarifës ndaj Fifit, e cila zuri vendin e dytë në “Kënga Magjike”, si dhe fitorja e Arilena Arës ndaj Elvana Gjatës në “Festivalin e Këngës Shqiptare”. As tërmetet që e goditën Shqipërinë nuk krijuan më shumë bujë e pakënaqësi se ngjarjet e lartpërmendura. Ndoshta edhe e pritshme në popullatën ku çdo i dyti banor është “këngëtar-e”. Priteshin edhe pakënaqësi të shprehura në formë të protestës pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë kundrejt vendimit të jurisë për fituesen e Festivalit të Këngës Shqiptare.

Një ditë lexova një kabllogram diplomatik sesi instituti amerikan e kishte aprovuar kërkesën për emërimin e një planeti me emrin Arbër, si dhe yllin e tij në sistemin ku ai planet bën pjesë ta quajnë Illyrian. Planeti Arbër gjendet në largësinë prej 416 vjetësh drite nga Toka. Bijtë e Arbërit e kanë kënaq në planetin Tokë, tash ju ka mbetur edhe me e kënaq diku në univers 416 vjet drite larg nga këtu. Por simbolikisht dhe në mënyrë patetike njeriu mund t’i emërojë ata planetë dhe yje si të dëshirojë, por sikur diku të ekzistojë edhe një civilizim me të arritura shkencore dhe zhvillim teknologjik të krahasueshëm me racën njerëzore apo edhe shumë më të avancuar, besoj se emërtimet e tyre për këta planetë, yje, apo konstelacione do të kenë emërtime totalisht të ndryshme.

Kur jemi tek kalendari, ai së shpejti do të shënojë përfundimin e rrotullimit të planetit të quajtur Tokë rreth Diellit. Secili rrotullim i cili zgjat 365 ditë në planet festohet si fillimi i Vitit të Ri. Gjatë kohës derisa ndodh ky rrotullim të cilin e quajmë vit, ka ndarje të tjera kalendarike siç janë muajt, javët, ditët, orët, minutat dhe sekondat.

Kjo ndarje lineare e kohës nga njeriu për t'ia mundësuar atij orientimin në kohë ndërlidhet me ngjarjet e ndryshme të së “kaluarës” apo ato të cilat do të ndodhin në të “ardhmen”.

E në fakt, ne si njerëz dhe qenie të gjalla dhe “inteligjente” të cilat jetojmë në këtë planet, në të jemi në kohë të huazuar, kush më shkurt e kush më gjatë, por të marrim me një mesatare prej 70 vjetëve. E tash paramendojeni se çka do të thotë kur 20 nga ta të jenë marrë dhe kanë shkuar mbrapsht duke të privuar ty nga disa norma të zhvillimeve dhe përkujdesjeve të shoqërisë/shtetit, të cilat një shoqëri i ka paracaktuar nëpërmjet ligjeve dhe zbatimeve të tyre në sistemin organizativ të asaj shoqërie. Lajm i hidhur për ju është se kjo e mbrapshtë 20- vjeçare nuk është se po mbaron këtu. Po e vërejmë se partitë politike të cilat na e premtuan një qeverisje ndryshe nga qeverisjet e deritanishme, tani sillen si të gjitha partitë deri më tash.

Si të ndiej shumë keqardhje për deputetët e shumtë të cilët kanë bërë investime materiale vetjake në fushatat e tyre për të siguruar një ulëse të deputetit në Kuvendin e Kosovës, apo parti të cilat pas 100 orvatjeve dhe presioneve nga më të ndryshmet arritën që të kalojnë pragun zgjedhor.

Si do të dalin këta individë dhe entitete partiake në zgjedhje të sërishme?

Në këtë koalicion në tentativë ndërmjet VV-së dhe LDK-së ku këto bisedime dështuan dhe kur tani kalkulimet e secilës parti për çfarëdo skenari të mundshëm që mund të sjellin muajt në vijim, nuk do të mund të jenë as të parashikueshme e aq më pak të sakta në pasqyrimin e tyre. Faktori kyç do të jetë trupi votues, elektorati për të cilin askush nuk e di se si do të reagojë në ditën e caktuar të zgjedhjeve të reja të parakohshme. A do të dalin edhe më masivisht në zgjedhje? A do të dalin në numër edhe me të vogël në zgjedhje si pasojë e zhgënjimit të shkaktuar nga mosfuqia dhe gatishmëria e dy partive për të formuar koalicionin qeverisës? A do t’i ndëshkojnë me votë këto dy parti të cilat e shkaktuan këtë rrëmujë zgjedhore? Cilët do të jenë preteksti dhe arsyeshmëria ndaj elektoratit për kërkimin e votës dhe besimit ndaj tyre nga partitë politike?

Nëse ky dështim i koalicionit është një shmangie e organizuar në mënyrë që të zvarrisë pjesëmarrjen e Kosovës në proceset delikate nëpër të cilat duhet të kalojë, përderisa nuk definohen disa projekte të tjera më madhore gjeopolitike në botë, atëherë këtë rol e kanë përmbushur me shumë sukses së paku në sytë e publikut të frustruar vendor. Sa i përket bashkësisë ndërkombëtare, atje pasuli hahet kokrra-kokrra dhe nuk jam i sigurt nëse ky blof për blerje kohe do të ketë mundur të kalojë pa u “vërejtur”, e për pasojat ato vetëm do të mund t’i imagjinojmë.

Tani edhe sikur të ndodhë ndonjë marrëveshje e minutave të fundit mbetet më se e qartë se ajo nuk ka të bëjë me asgjë parimore dhe se ai pak parim i proklamuar për një qeverisje ndryshe, transparente dhe shpresëdhënëse për popullin e këtij shteti të ri është shkrirë si skllota e muajit dhjetor në këtë fundvit.

Mjegullat politike do të bien edhe për një kohë të gjatë në këtë vend, të cilin e kanë nëmur vetë njerëzit e tij. Ujqit e vjetër do të vazhdojnë që ta shfrytëzojnë mjegullën të cilën e krijuan vetë me dekada të tëra, dhe ashtu në grup qysh ata funksionojnë të vazhdojnë të gjuajnë për prenë e tyre, në mënyrë që të sigurojnë vazhdimësinë e llojit të tyre.

Siç na e kanë thënë të moçmit “uku lyp mjegull”...

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Vukojebina 30/12/2019 14:18

Ashty pra

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani