Kapja e planetit

Brikenda Rexhepi Brikenda Rexhepi 02 January 2020 12:02

Koalicioni i shumicës mes bagëtive dhe njerëzve që sundon tokën vs. dashuria madhështore mes syrrumbullakut simpatik dhe nënës së tij leshkuqe.

Një bebe syrrumbullake pështillet sa te kraharori, sa te barku i së ëmës. Shikohen sy më sy. Duhen. Butësisht nëna e përkrah që të luajë sigurt nëpër trupin e saj. Mbledh kajmakun nga secila qelizë e vet dhe e ushqen. Sa me njërin gji, sa me tjetrin. Kur pi në njërin, me tjetrin luan. Gishtat e vegjël njoftohen nga jashtë me trupin që përbrenda i ka bërë strehë nëntë muaj. Nëna i jepet plotësisht.

Është kjo një bebe e veçantë. Ka lindur para një muaji dhe është e gjinisë mashkullore. BBC-ja ka raportuar për ardhjen e tij në jetë në Chester, qytet në rajonin veriperëndimor të Britanisë së Madhe. Ka prindër nënën Subih dhe babanë Puluh. Beben syrrumbullake ende nuk e kanë pagëzuar.

Një bebe pa emër, e dy prindërve me emra të çuditshëm, çfarë lidhjeje ka me Kosovën e konstelacioneve politike të fundvitit? Kurrfarë. Rrjedhimisht shkrimi edhe mund të përfundojë që tash. Por ta zëmë se e kemi çliruar pak mendjen.

Veçantia e syrrumbullakut është globale, por që tregon mendësinë lokale dhe kërkon trajtim të tillë në secilin shtet të botës. Edhe Kosova duhet të jetë aty. Syrrumbullaku është i rrezikuar. Më pak se 14 mijë të sojit të tij mezi mbijetojnë. Një fije shprese për të, por edhe për secilën qenie me sy çfarëdo forme mund ta sjellë viti i ri. Qeveritë e të gjitha shteteve do të mblidhen më 2020 në Kinë në atë që quhet Konventa e diversitetit biologjik (KDB) për t’i caktuar disa caqe të rëndësishme. KDB është një traktat obligues për shtetet. Biologët synojnë zotimin e përfaqësuesve shtetërorë që deri më 2030 një e treta e tokës dhe oqeaneve t’i lihet botës së egër e deri më 2050 gjysma. Kjo me qëllim që të shmanget zhdukja masive e ekosistemeve. Për t’i bindur shtetet, shkencëtarët argumentojnë varësinë e mbijetesës së vetë njerëzimit nga habitatet e egra natyrale. Fatkeqësisht motivi është vetjak, ashtu siç po del të jetë edhe natyra e njeriut. Pra, për shkak se rrezikohemi ne nuk duhet t’ua prishim shtëpinë atyre. Jo pse edhe ata ndiejnë. Për shembull, dashurinë madhështore të paragrafit të parë të këtij teksti. Sido që të jetë, me rëndësi syrrumbullaku të shpëtojë.

Aktualisht rreth 20 për qind e kurrizorëve dhe e bimëve rrezikohen me zhdukje të përhershme kryesisht për shkak të veprimtarisë njerëzore si tkurrja e habitateve për të zgjeruar industritë; gjuetia për t’ua stërshitur dhëmbët, gëzofin, luspat...; ndotja me mbeturina të patretshme e të rrezikshme, etj. Ndërkohë raporti i biomasës gjitare në tokë është indikator më vete: 60 për qind e përbëjnë bagëtitë, 36 për qind njerëzit dhe vetëm 4 për qind e përbëjnë mbi 5 mijë speciet e tjera të gjitarëve të egër. Nëse e përdorim fjalorin politik të Kosovës, i bie që dy të parat e kanë kapur planetin dhe përbëjnë koalicionin e shumicës që po e çon atë drejt shkatërrimit. Për 40 vjet llogaritet që toka ka humbur 40 për qind të biodiversitetit.

Meqë jemi te Kosova, çka mund të bëjë ajo për beben syrrumbullake që e do nënën e vet shumë, që ka lindur në Angli, por vendbanimin origjinal e ka në Indonezi? Asgjë. Rrjedhimisht shkrimi edhe mund të përfundojë që tash. Por ta zëmë se e çlirojmë pak mendjen e së paku nisim të brengosemi për speciet tona.

Kushtetuta ka menduar për to. Neni 122.2 thotë: Pasuritë natyrore, si ujërat, hapësira ajrore, pasuritë minerare dhe pasuritë e tjera natyrore, si dhe trualli, pyjet, bota bimore e shtazore, pjesët e tjera të natyrës… gëzojnë mbrojtjen e tyre të veçantë, në pajtim me ligjin. Edhe Ligji për Mbrojtjen e Natyrës ka një nen specifik për botën e egër. Por ajo që shohim përditë është jo veç degradim, por abuzim i paramenduar qoftë edhe me një fije të vetme bari nëse nga ajo do të nxirreshin 2 centë. Mos të flasim për shkatërrimin masiv të habitateve nga gurëthyesit, zhavorrmbledhësit, ndërtuesit e hidrocentraleve të vogla, prerësit e drurëve, lobuesit e tkurrjes së dy parqeve nacionale… Kosova ka pozitë gjeografike të favorshme që biodiversiteti të jetë i larmishëm, posaçërisht në zonat e këtyre dy parqeve, në Malet e Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna. Sipas të dhënave të pakta që mund të gjenden për botën e egër, vlerësohet se Kosova ka afro 250 lloje të egra të kurrizorëve, 180 lloje të shpezëve, 130 lloje të insekteve, 45 lloje të gjitarëve… Studimet e hollësishme mungojnë plotësisht.

Derisa shtetet e botës mblidhen në Kinë më 2020 në përpjekje për ta shpëtuar njerëzimin përmes rikthimit të biodiversitetit, Kosova do të ishte mirë të niste inventarizimin e botës së vet të egër dhe të individëve që po pasurohen në kurriz të arinjve, dhelprave, kaprojve, ujqve, derrave e dhive të egra, peshqve... Kjo veç si hap i parë.

Ndërkohë që bebja syrrumbullake dhe nëna e saj 32-vjeçare kënaqen duke u dashur mes vete në kopshtin zoologjik në Chester, kujdestarët e tyre bëjnë çmos që ato të ndihen si në shtëpi. Nga ana tjetër, industria e prodhimit të vajit të palmës ka nisur t’u nënshtrohet rregullave strikte që ai të sigurohet nga burimet e verifikuara, me shpresën që oranutanët leshkuq t’i ripopullojnë pyjet në Indonezi.

Ky megjithatë nuk është një përfundim i mirë. Urimi për Vitin e Ri dhe vitet e tjera pas tij do të ishte që njerëzimi të mos abuzojë me kafshët, jo pse prishet bodiversiteti dhe rrjedhimisht ekosistemet e ekzistenca e racës, por për hir të dashurisë madhështore mes syrrumbullakut simpatik dhe nënës së tij leshkuqe.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Brikenda Rexhepi