Vështrime

Pezull në mjegull

Në një vend ku s’ndryshon gjë, ku edhe shpresa për ndryshim e humb kuptimin. Sepse është vonë, tepër vonë për të pritur. Se duhet gjetur fajtorin, tingëllon si përndjekje a shfajësim. Për të mos u zhytur në pesimizëm, le të fajësohet diçka përtej natyrës njerëzore. Mjegulla, ta zëmë

Asnjë pikë a presje, s’do t’ia hiqja asaj që kisha shkruar fiks një vit më parë, në të njëjtën kohë, diku pas mesnate, jashtë afatit të përcaktuar, nën xhurulldinë e zakonshme të përfundimit të një pune që do të mund të kryhej kaherë. Ishte një lloj përpjekjeje për të bashkuar tri vija për një rrëfim, diçka si thurje për vizat, të burgosurin që i shënon ditët me vija në pritje të lirisë e për atë që nënshkruhet me vijë dhe të tillë e konsideron shteti.