Prenazizmi gjerman dhe kriza (jo vetëm) kushtetuese kosovare

Durim Berisha Durim Berisha 14 January 2020 14:19

Fundi i luftës së parë botërore shënoi fitoren e atyre që quheshin “ide progresive” dhe të cilat kishin për synim kryesor dhënien e fuqisë politike sovranit (popullit si tërësi). Në emër të rikthimit të demokracisë, ndonëse jo të drejtpërdrejtë, pjesa perëndimore e globit u njoh në atë periudhë me ndryshimin më të shpejtë dhe më të papritur në sistemet politike.

Jetësimi i parlamentarizmit republikan dhe zhbërja e monarkive të cilat kishin mbajtur deri në atë kohë nën autoritetin e tyre kompetencat e pushtetit ekzekutiv, shihej si fitore e forcave demokratike. Mirëpo, demokracia nuk është për shoqëri jodemokratike, për shoqëri të cilat nuk e njohin atë, do të thoshte Carl Schmitt rreth një shekull më parë.

Për dallim nga shtetet evropiane të cilat e gdhenden sistemin e tyre kushtetues nga përvojat e hidhura gjatë procesit të përplasjes së forcave të kundërta dhe të ndryshme politike, shtetet në zhvillim, me theks ato komuniste i përqafuan modelet e tilla përmes asaj që quhet “transplantim i të drejtës”.

Në fakt në Kosovë, ndonëse “atësinë” e Kushtetutës së Kosovës e pretendojnë shumë persona, edhe pse ajo realisht paraqet një version të përpunuar keq të propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, procesi kushtetutëdhënës është i zhveshur nga elementet esenciale të pushtetit konstitutiv dhe paraqet një zbatim të imponuar të kushtëzimeve ndërkombëtare – pa një pjesëmarrje të sovranit dhe pa mundësi të ndikimeve përmbajtjesore nga faktorët politikë të kohës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përpos që nuk i është nënshtruar një procesi konform-kushtetues gjatë hartimit dhe miratimit të saj, po ashtu është karakterizuar me përfshirje në komisionet punuese të personave që nuk kishin kualifikimet dhe njohuritë e mjaftueshme jo vetëm të draftimit kushtetues, por edhe për të drejtën kushtetuese (teorinë dhe praktikën) në përgjithësi. Propozimet e faktorit vendor – sidomos ato rreth parimeve kushtetuese - të cilat më tepër karakterizohen me motive personale dhe emocionale, sesa me vetëdije mbi kuptimin e vërtetë të normave të kopjuara nga kushtetutat e shteteve evropiane.

“Kriza Vajmariane” dhe demokracia fiktive kosovare

Modeli më i pasuksesshëm, mos të them i tmerrshëm, i një parlamentarizmi republikan u paraqit në Republikën e Parë Gjermane e cila u quajt “Republika e Vajmarit”, sipas emrit të qytetit ku u zhvilluan punimet e asamblesë kushtetuese.

Kushtetutëdhënësi gjerman ishte përcaktuar në atë kohë për një president që zgjidhej drejtpërdrejtë nga populli me qëllim që të paraqitej si balancues i pushtetit në raport me legjislativin që po ashtu zgjidhej nga populli. Për vite me radhë juristët – me theks ata jashtë Gjermanisë dhe që nuk e njihnin as rendin kushtetues Vajmarian as konceptin gjerman mbi shtetin dhe të drejtën – deklaruan se pikërisht një pozicionim i tillë i Shefit të Shtetit në Kushtetutë shkaktoi shembjen e rendit kushtetues rreth një dekadë më vonë.

Mirëpo, pavarësisht që presidenti i shtetit në Republikën e Vajmarit kishte kompetenca jo vetëm ekzekutive, por edhe ligjdhënëse, me theks të veçantë nxjerrje e “Rregulloreve të Jashtëzakonshme” me karakter jo vetëm ligjor, por edhe kushtetues, problemi asnjëherë nuk qëndron të norma kushtetuese. Sepse ajo nuk është pasqyrim i një shpalljeje hyjnore, por e formuluar dhe miratuar nga njeriu. Në dritën e kësaj qasjeje, shkaqet e dështimit të republikanizmit Vajmarian janë të lidhura me faktorë tjerë.

Përbërjet e para të Parlamentit Gjerman, të cilat edhe ashtu nuk kishin jetë të gjatë, sepse presidenti kishte të drejtën e shpërbërjes së parlamentit pa asnjë arsyetim, u karakterizuan me zgjedhjen e personave jo të duhur për të përfaqësuar popullin.

Pavarësisht që kushtetuta e Vajmarit përcaktonte se deputetët i nënshtroheshin vetëm ndërgjegjes së tyre dhe përfaqësonin popullin gjerman, realiteti pasqyronte abuzimin e pozitës së të zgjedhurve të popullit, imunitetit parlamentar dhe synimin e vetëm që kishin ata që zgjidheshin në organin legjislativ të shtetit ishte t’i shërbenin interesave ekonomike të grupeve të caktuara nga të cilat ata kishin përfitime personale. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se shumica e të zgjedhurve të popullit nuk kishin njohuri elementare mbi funksionimin demokratik të shtetit, mundësia e shtrimit dhe zgjerimit të ndikimit dhe autoritetit nga ata që ishin paksa e më të “zhdërvjelltë” dhe të cilët gradualisht ndërtuan kultin e tyre.

Ndonëse në diferencë prej një shekulli mes veti, parlamentarizmi kosovar karakterizohet pikërisht nga po të njëjtat probleme që i karakterizuan fillet e para të parlamentarizmit republikan.

Me të vetmin dallim, se jeta e shkurtë e legjislaturave në Kosovë u karakterizua me vetë shpërbërje të njëpasnjëshme të parlamentit – qoftë pas një mocioni mosbesimi, qoftë me votë të deputetëve për shpërbërje të legjislativit. Pavarësisht njërës apo tjetrës, në fakt ata konfirmonin paaftësinë e tyre për të përmbushur rolin dhe obligimin që ua ka ngarkuar shoqëria – përgjegjësi që me ngulm e kishin dhe vazhdojnë ta kërkojnë gjatë fushatave zgjedhore.

Interpretimi kushtetues si alkimi dhe sharlatanizëm

Periudha Vajmariane përpos krizave identitare dhe mungesës së të kuptuarit të funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore, u karakterizua me debatin e njohur “pro dhe kundër” jetësimit të gjyqësisë kushtetuese. Përderisa Hans Kelsen kishte realizuar modelin e centralizuar të gjyqësisë kushtetuese në Austri, Carl Shmitt në anën tjetër u paraqit si kundërshtari më i zëshëm i dhënies së kompetencës gjyqësorit – për të vendosur rreth kontesteve politike apo me efekt përfundimtar politik. Sipas Schmittit përmes këtij veprimi “politika nuk do të fitonte asgjë, ndërsa drejtësia do të humbiste gjithçka”.

Përtej kritikave që pati kjo qasje, më tepër e bazuar në paragjykimet ndaj afërsisë së Schmittit në fillet e para të qeverisjes naziste, ishte pikërisht njohja e themeltë e defekteve të shoqërisë së atëhershme gjermane që e shtyu atë të mbante një qëndrim të tille.

Presidenti i shtetit impononte emërimin e Kancelarit, nën kërcënimin e shpërbërjes së parlamentit. Ndërsa shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe në ato rrethana përmes akteve presidenciale ai jo vetëm që zëvendësonte parlamentin në procesin legjislativ përkohësisht, por në të njëjtën mënyrë e zhbëri rendin kushtetues – duke i njohur Hitlerit pushtetin absolut si udhëheqës suprem i shtetit gjerman.

Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh këtë rol presidentit të shtetit, ndonëse presidenti aktual do ta lakmonte një gjë të tillë. Roli i tij destruktiv në raport me funksionalizimin e institucioneve u vërejt pas zgjedhjeve të vitit 2017, ndërsa po shpërfaqet edhe më shumë pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. I pakënaqur me kornizën e ngushtë të cilën ja ka përcaktuar kushtetuta, ai po tenton që përmes citimit jo-relevant dhe të pasaktë të kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të imponohet si autoritet i rëndësishëm në procesin zgjedhjes së Qeverisë.

I rrethuar nga në staf i pakualifikuar në raport me interpretimin kushtetues, ai kishte tentuar të imponohej edhe si udhëheqës faktik i dialogut me Serbinë.

Ngjashëm si alkimistët të cilët shfrytëzuan krizat ekonomike në Evropën mesjetare për t’i zhvatur aristokratët nën premtimin e prodhimit të arit nga materiale tjera, ashtu edhe presidenca po tenton t’i jap një pozicion që nuk i takon në sistemin kushtetues të Kosovës. Duke marrë parasysh se jo vetëm kushtetuta jonë, por as kushtetutat nga të cilat “etërit e kushtetutës” i kanë kopjuar dispozitat të cilat flasin për formimin e Qeverisë, nuk parashohin afate brenda të cilave duhet t’i propozohet presidentit emri mandatarit për kryeministër, presidenca tenton që të krijojë huti në opinion se për këtë çështje ndoshta do të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Mirëpo, është për t’u habitur fakti se që nga viti 2018, Gjykata Kushtetuese i ka refuzuar të gjitha kërkesat e dorëzuara nga Presidenti të cilat nuk bazohen në nenin 113 të Kushtetutës, nen i cili parasheh kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Është për t’u habitur se si stafi i presidentit vepron në nivel sharlatanësh, të cilët përmes deklarimeve të cilat është fakt notor se nuk kanë asnjë bazë kushtetuese, do të kërkojnë të imponojnë një afat të paqenë dhe të shtrembërojnë rendin kushtetues.

Akterët politikë, por edhe opinioni duhet ta kenë të qartë se procesi i formimit të Qeverisë është një proces i cili kudo në demokracitë parlamentare nuk ndodhë brenda disa ditëve. Ai është një proces të cilin duhet ta karakterizojë serioziteti dhe evitimi i defekteve të cilat do ta shkaktonin shpërbërjen e Qeverisë dhe Parlamentit para mandatit të rregullt.

Ndarja e përgjegjësive brenda koalicionit qeverisës, por edhe çështja e Presidentit – emri i të cilit duhet t’i propozohet partnerit qeverisës që në këtë fazë – ka qenë sfidë edhe për Gjermaninë në vitin 2013. Pra kjo nuk qenka diçka e panjohur në praktikën parlamentare. Prandaj në dritën e këtyre fakteve, ndërtimi i ngadalshëm i institucioneve nuk paraqet krizë kushtetuese, por krizë jo vetëm kushtetuese, por më tepër morale paraqet tentimi për të shtrembëruar rendin kushtetues, edhe ashtu fragjil.

Autori është në përfundim të studimeve të doktoratës në Universitetin Heinrich Heine në Düsseldorf dhe ka shërbyer në të kaluarën si këshilltar juridik në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Qëndrimet janë personale dhe nuk pasqyrojnë qëndrimin e institucionit ku është duke i përfunduar studimet

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Durim Berisha