Skllavëria moderne e shkaktuar nga neoliberalizmi brutal

Enver Robelli Enver Robelli 13 February 2020 08:06

Pa punë ose me vende pune të pasigurta, me rroga të mjerueshme në rini, të varfër në pleqëri: politikat neoliberale të toleruara nga qeveritë perëndimore, po i nxjerrin shoqëritë nga binarët. Nuk është më e majta që po u shkakton kokëçarje qeverive, por e djathta nacionaliste. Shtresat e varfëruara reagojnë me mllef ndaj elitave, sepse e kanë përshtypjen se elitat nuk po merren me problemet e tyre, por me debate periferike

Një dokumentar i televizionit gjermano-francez ARTE, i emituar këto ditë, shpjegon arsyet e trazimit të shoqërive perëndimore, pakënaqësitë, protestat, agresivitetin, rezistencën kundër elitave dhe prirjen e shumë njerëzve për të votuar parti të ekstremit të djathtë.

Këto janë disa nga arsyet (të plotësuara me shënime dhe komente shtesë):

1. Një e treta e të punësuarve në Evropë jetojnë në pasiguri. Kanë punë, pjesërisht kanë disa vende të punës, por prapë mezi ia dalin në fund të muajit.

2. Këta njerëz e përbëjnë të ashtuquajturin «prekariat» (precarity në anglisht). Jetojnë pa vende të sigurta të punës.

3. Frika në rritje nga varfëria te njerëzit krijon ndjenjën se janë të përjashtuar nga jeta sociale. Kjo ndjenjë rrit dyshimin ndaj demokracisë. Nga kjo përfitojnë partitë populiste.

4. Në 30 vjetët e fundit në Evropë rrogat pothuaj nuk kanë lëvizur. Pasuria nuk shpërndahet nga lart-poshtë, por nga poshtë-lart. Që shtresat e pasura të bëhen edhe më të pasura, duhet të shtrydhet e shfrytëzohet sidomos pjesa e fundme e shtresës së mesme. Kjo është receta e rrezikshme e kapitalizmit në bashkëveprim me qeveritë neoliberale.

5. Madje edhe në Suedi, një shtet i quajtur si «parajsë sociale», hendeku mes të varfërve dhe të pasurve po bëhet gjithnjë e më i madh. Një grua me pension prej 1.200 eurosh, pas të gjitha pagesave të obligueshme, për të jetuar i mbesin vetëm 250 euro. Një pastruese në Francë, 56-vjeçare, po u pensionua në moshën 62-vjeçare, pensioni i saj është vetëm 270 euro. Me këtë shumë vështirë të jetohet edhe në një vend të varfër si Kosova.

6. Çdo i pesti pensionist jeton në kufi të varfërisë. Nga varfëria janë të goditura sidomos gratë. 50 për qind e grave në Austri kanë vende pune atipike, d.m.th. të pasigurta dhe të paguara keq. Në Spanjë më shumë se gjysma e personave nën moshën 30-vjeçare kanë vende pune të pasigurta. Firma që ndërmjetësojnë vende pune i dërgojnë njerëzit të punojnë një muaj apo dy diku, pastaj diku tjetër, pastaj pason një pauzë e gjatë pa punë. Mbrojtje ligjore pothuaj nuk ka. Sigurime pensionale gjithnjë e më pak, veçanërisht në vendet e Evropës Jugore. «Prekariati jeton përherë në cep të borxheve. Një gabim, një sëmundje në çastin e papërshtatshëm, një aksident apo nëse një anëtari të familjes i ndodh diçka, atëherë ky mund të jetë fundi (i vendit të punës)», thotë Guy Standing, ekspert britanik i ekonomisë.

7. Kush i ka fajet për këtë situatë? Neoliberalizmi i shfrenuar. Liberalizimi brutal i tregut të punës, ku punëdhënësi e blen fuqinë punonjëse si një çamçakëz dhe e hedh në atë çast që nuk i duhet.

8. Ky derregullim total i tregut të punës dhe toleranca e qeverive ndaj firmave dhe investitorëve që në ekonomi depërtojnë si grabitqarë dhe shkatërrojnë shtresat stabile të shoqërisë, duke i eksploatuar dhe duke u koncentruar vetëm në maksimalizim të fitimit, ka prodhuar lëvizje populiste e protestuese, si «Xhaketat e Verdha» në Francë.

9. «Nëse nuk e dimë se a do të kemi vendin e punës në fund të muajit apo sa të larta do të jenë të ardhurat tona javën që vjen, atëherë kjo ndikon në mënyrën e jetës, në ushqim, shprehitë e konsumit, por edhe në perspektivën e planifikimit», thotë sindikalistja austriake, Veronika Bohrn Mena.

10. Kjo situatë e shton depresionin në shoqëri. Njerëzit me vende të pasigurta të punës e humbin besimin në demokraci, ata marrin pjesë shumë më pak në zgjedhje se pjesëtarët e shtresave të tjera shoqërore. Partitë e etabluara mendojnë se grupet me vende të pasigurta të punës nuk dalin në zgjedhje, rrjedhimisht nuk duhet të interesohemi për to. E kur grupet me vende të pasigurta të punës dalin në zgjedhje, ato votojnë partitë ekstremiste. Kështu në Gjermani po rritet Alternativa për Gjermaninë (AfD), në Francë Rassemblement National e Marine Le Pen, në Austri me vite të tëra është rritur FPÖ, në Itali Lega e Matteo Salvinit.

11. Bashkimi Evropian i ka kushtuar pak rëndësi qëndrueshmërisë sociale të shoqërive. Tregu i punës është liberalizuar brutalisht. Një murator rumun mund të ofrojë shërbimet e tij në Gjermani. Firma gjermane e punëson rumunin, i cili punon 50 për qind më lirë se muratori gjerman. Muratori gjerman mbetet pa punë ose duhet të punojë me po atë rrogë sa e merr rumuni. Kjo është biletë për varfëri. Kjo është njëra prej arsyeve kryesore përse zviceranët hedhin poshtë hyrjen në BE. Hapja totale e tregut të punës mund të shkaktojë tensione sociale.

12. Shtresat e varfëruara reagojnë me mllef ndaj elitave, sepse e kanë përshtypjen se elitat nuk po merren me problemet e tyre dhe debatet sillen kryesisht rreth «barazisë gjinore», të «drejtave të homoseksualëve», «racizmit» etj. Këto shtresa të varfëruara dhe me vende pune të pasigurta apo pa vende pune fare, nuk janë kundër barazisë gjinore, nuk urrejnë homoseksualët, nuk mund të thuhet se janë fund e krye raciste. Mllefi i shtresave të varfëruara ka të bëjë me arrogancën e qeverive perëndimore në 30 vjetët e fundit. Në Amerikë arroganca e Hillary Clintonit, e cila për 100 fjalime i kishte marrë 25 milionë dollarë kryesisht nga bankat dhe në disa referate ishte shprehur me përbuzje ndaj punëtorëve të thjeshtë, pra kjo arrogancë e ka sjellë Donald Trumpin në pushtet. Në Francë Emmanuel Macron ka ngjallur zemërim duke i quajtur punëtorët dembelë. Në Gjermani punëtorët e shohin ish-kancelarin Gerhard Schröder se si i mbush xhepat me para si punëtor i Gazpromit rus. Shumë ish-politikanë austriakë për një honorar të majmë nuk përtojnë të punojnë për autokratë, diktatorë e oligarkë nga hapësira ish-sovjetike.

13. Globalizimi është proces i rëndësishëm, por kur bëhet pa rregulla ose me rregulla minimale, atëherë shkatërron shoqëritë. Këtë e ka toleruar edhe Bashkimi Evropian në tri dekadat e fundit, madje duke ndërtuar një mit kinse liberal, i cili nuk është gjë tjetër veçse maskë me të cilën plaçkiten njerëzit. Pas retorikës së «tolerancës», «respektit për grupet e margjinalizuara» etj. fshihet makina gllabëruese e ndërmarrjeve të mëdha pa respekt për kohezionin social.

14. Nuk është më e majta që po u shkakton kokëçarje qeverive, por e djathta nacionaliste. Problemi është ashpërsuar viteve të fundit me ardhjen e mbi një milion refugjatëve në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore.

15. Aty ku të punësuarit marrin 3 deri në 5 euro në orë, shpërthimi social duket i paevitueshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Ragip Rugova14/02/2020 14:59

Shkurt, thukët, qartë, pa gabueshëm. Por ka diçka që duhet kuptuar këtu: lirinë dhe barazinë duhet marrë. Nëse pret të ta japin ngelë duarthatë. As ajo e para neoliberalizmit nuk ishte e falur!

Bardh13/02/2020 14:05

Si cdo here keni trajtuar nje teme shume te qelluar. E kam shikuar mbreme kete dokumentar! Problemi i neoliberalizmit lidhet doemos me efiqencen dhe profitin qe jane argumenti i tyre kryesor, ku ekonomine e kane kufizuar vetem ne numra duke e paraqitur tregun si nje krijese te paprekshme, e harrojne qe edhe tregu eshte krijuar per te i sherbyer shoqerise. Per dallim nga vendet e Bashkimit Europian ne Kosove per here te pare kemi nje parti te majte qe qeveris me vendin dhe qe shtetin social (soziale Marktwirtschaft) e kane pjese te programit te tyre. Se cka ka sjell neoliberalizmi tregon me se mire procesi i privatizimit ne Kosove! Gazetaria kualitative ka edhe ne Kosove! Faleminderit!

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli