BE-ja nuk do të mund ta nxjerrë një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 26 February 2020 08:01

BE-së nuk i kanë munguar asnjëherë njerëz që merren me Kosovën e Serbinë, rajonin e dialogun. Gjithmonë edhe ndërmjetësit e tjerë, edhe negociatat e tjera i kanë marrë parasysh interesat e BE-së kur është diskutuar për Kosovën dhe statusin e saj. Por ajo që i ka munguar BE-së e i mungon edhe sot, është qëndrimi i qartë se çfarë do nga ky dialog. Nëse Borreli dhe Lajçaku do të ndjekin qëndrimin pa qëndrim, se “u takon palëve të merren vesh e ne vetëm do të lehtësojmë”, nëse presin që Serbia vetë të vendosë ta njohë Kosovën në mënyrë që këtë ta bëjnë pastaj edhe të tjerët, atëherë na pret një proces shumëvjeçar, i paqartë dhe i pasuksesshëm dialogu

Ministri i jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, do të jetë së shpejti edhe zyrtarisht përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor. Kjo, nëse nuk ndodh ndonjë befasi ndërkohë, është punë e kryer sipas diplomatëve në Bruksel. Lajçaku dhe Borreli qëmoti kanë përgatitur terrenin për këtë çështje dhe madje janë marrë vesh se si të duken mandatet, çfarë të përfshijnë. Frika se Kosova do të shprehet kundër po ashtu është hequr. Edhe pse diplomatët perëndimorë kanë thënë se kanë dëgjuar nga kosovarët se “nuk do të ishte mirë që edhe Borreli, edhe përfaqësuesi i posaçëm të vinë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën”, duket se liderët e Kosovës, qoftë edhe duke heshtur, kanë dhënë bekimin që Lajçaku të jetë përfaqësues i posaçëm, ose, thënë më saktë, nuk janë shprehur formalisht kundër. Edhe po të ishin shprehur ndoshta nuk do të mund ta parandalonin një gjë të tillë, sepse Kosova nuk është në BE. Por nuk është dashur t’i vënë në pozitë të pakëndshme disa shtete mike që kanë menduar se kosovarët vërtet janë kundër. Tash, sikur u ka ndodhur edhe më parë, u thonë se “nuk mund të jeni kundër nëse vetë Kosova nuk është kundër”.

Kështu BE-ja do të ketë edhe një post të lartë politik në strukturat e saj që do të merret me Kosovën, dialogun me Serbinë dhe me rajonin. Ministri aktual i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, nuk ka mungesë të përvojës e as të njohjeve të rajonit. Ka përvoja të njohjes edhe të Shërbimit të jashtëm të BE-së, ku ka qenë edhe drejtor menaxhues, pra ka qenë edhe në atë cilësi i angazhuar edhe rreth Ballkanit.

Më shumë se çështja se a vjen nga një vend që e ka njohur apo jo Kosovën, sepse Kosova nuk ka pasur dobi as prej atyre që ishin në krye të diplomacisë së BE-së e që vinë nga vendet që e kanë njohur, do të jetë e rëndësishme se çfarë do të synojë BE-ja të bëjë në këtë dialog. Për momentin duket se strukturat e BE-së janë të shqetësuara se kë duhet emëruar në atë post e pastaj do të shihet se çfarë do të jetë mandati dhe çfarë të pritet nga ai.

BE-së nuk i kanë munguar asnjëherë njerëz që merren me Kosovën e Serbinë, rajonin e dialogun. Gjithmonë edhe ndërmjetësit e tjerë, edhe negociatat e tjera i kanë marrë parasysh interesat e BE-së kur është diskutuar për Kosovën dhe statusin e saj. Por ajo që i ka munguar BE-së e i mungon edhe sot, është qëndrimi i qartë se çfarë do nga ky dialog. Nëse Borreli dhe Lajçaku do të ndjekin qëndrimin pa qëndrim, se “u takon palëve të merren vesh e ne vetëm do të lehtësojmë”, nëse presin që Serbia vetë të vendosë ta njohë Kosovën në mënyrë që këtë ta bëjnë pastaj edhe të tjerët, atëherë na pret një proces shumëvjeçar, i paqartë dhe i pasuksesshëm dialogu.

Nga prononcimet e deritashme të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrel, mund të thuhet se ai nuk ka asnjë ambicie. Ai ka thënë se “Kosova nuk mund të jetë shtet i pavarur nëse nuk njihet nga Rusia dhe Kina”. Ka thënë se “Nuk na takon neve të kërkojmë nga palët se çfarë do të merren vesh, por vetëm t’ua lehtësojmë”. Po ashtu, ka thënë se “Nëse Serbia dhe Kosova merren vesh atëherë asnjë tjetër nuk mund të jenë kundër” kur është pyetur rreth njohjes. Ka thënë se “BE-së nuk i takon të kërkojë nga shtetet që të njohin apo jo Kosovën, sepse kjo është në kompetenca të shteteve anëtare”. Pa asnjë problem të njëjtat përgjigje do t’i kishin dhënë edhe ministrat e Rusisë, Serbisë apo Kinës. Të gjitha këto mund të përmblidhen në konstatimin se “statusi i Kosovës nuk është çështje e kryer”, që është qëndrim i Serbisë. Kosova ka hyrë në dialog me bindjen se në të nuk do të diskutohet statusi, as kufijtë e as rregullimi i brendshëm.

Që nga koha kur u bë e ditur se çfarë do të propozonte Marti Ahtisaari, në ekipin e të cilit ishin edhe përfaqësuesit e BE-së, nisën ndasitë në BE që çuan deri tek situata në të cilën as sot ajo nuk ka qëndrim rreth statusit të Kosovës. Dhe, pasi Kosova ëhstë temë me të cilën merren strukturat që merren me politikë të jashtme, pra u vendoset me konsensusin e të gjitha shteteve, të jesh neutral ndaj statusit është të jesh negativ ndaj statusit. Sepse në këto situata gjithmonë fitojnë ata që janë kundër, edhe kur janë në pakicë siç janë 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Nga Borreli shihet se ai nuk ka ndonjë ambicie që kjo të ndryshojë. Vështirë që të ketë ndonjë ambicie të tillë edhe përfaqësuesi i ardhshëm i posaçëm i zgjedhur nga Borrelli. Sepse në strukturat e BE-së vazhdojnë ta shohin “qëndrimin neutral ndaj statusit” si avantazh e jo dobësi. Në këto rrethana nuk do të ketë thirrje që BE-ja të flasë me një zë rreth statusit të Kosovës dhe do të fshihen prapa thënieve se “Nuk është në kompetenca të BE-së të kërkojë nga shtete që ta njohin apo jo pavarësinë”. Kjo nuk është krejtësisht e saktë. Kur Mali i Zi kishte shpallur pavarësinë, BE-ja u kishte bërë thirrje shteteve anëtare që të vendosin raportet me Malin e Zi si shtet sovran.

Në konkluzat e Këshillit të ministrave të BE-së të datës 12 qershor 2006 mes të tjerash thuhet se “Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare kanë vendosur se do t’i zhvillojnë raportet e ardhshme me Republikën e Malit të Zi si shtet sovran, i pavarur”. Pra, në rastin e Malit të Zi u kërkua dhe u arrit unanimiteti i BE-së, ndërsa në rastin e Kosovës jo. Vendet anëtare, si Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia ishin kundër. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar deri më sot ani pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me mendimin e saj, ka hedhur poshtë pohimet se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Strukturat e BE-së në Bruksel mund të ndihmojnë në aspektin logjistik. Mund edhe të vendosin dhe të ndihmojnë financiarisht. Por ato nuk do të mund, dhe nuk e kanë as atë ambicie, të marrin qëndrim rreth statusit të Kosovës e aq më pak të kërkojnë nga Serbia ta njohë Kosovën. Prandaj, BE-ja si organizatë nuk ka fuqi që të nxjerrë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë mund ta bëjnë vetëm shtetet, si Gjermania e Franca, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse fuqia e BE-së është te shtetet anëtare e jo te strukturat në Bruksel.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj