Ghostbuster në parlamentin e ograisur

Drenusha Zajmi-Hoxha Drenusha Zajmi-Hoxha 26 February 2020 15:20

Me më pas thënë dikush që do t’i gëzohem kaq shumë daljes së Burdushit nga burgu, nuk do ta kisha besuar. Rrëfenin njerëzit se radha para shtëpisë së tij po bëhet me kilometra, e se shumë VIP-a e nipa të tyre, kërkuakan derman te dera e këtij “ghostbusterit” famoz. Më dukej shaka. 

Thoshin se tipi ka pajtuar shumë burra e gra, ka shëruar shumë njerëz të “dreqosur” e ka martuar shumë të rinj e të reja të ograisur keq. Por, unë qeshja me lot. Thosha mileti primitiv. Thosha tipi po pasurohet me këtë popull besëtyt, që ende beson në shtriga e dreqër, në objekte e budallakina të tjera.

 Por, askush nuk qeshej bashkë me mua. Erdhi dita që e besova edhe këtë. E si mos ta besoj: Sapo doli Burdushi, u morën vesh dy partitë udhëheqëse, të cilat lozën pingpong me nervat e popullit gati katër muaj. Ranë në një vijë dielli e hëna, e nuk mund bëheshin bashkë dy parti shqiptare, që këmbenin kolltukë me njëri-tjetrin. Dhe shih tash, u krijua qeveria brenda disa ditëve. 

Me çantën e tij, Burdushi, sikur dikur “Sport Billy” , i nxori ujërat, shishet, pluhërat e ku ta di gjërat tjera magjike, dhe i spërkati me to duke i çliruar nga magjitë frenuese dreqtërheqëse. 

Atë që si duket Burdushi e shkaktoi si “dëm anësor”, është se mbase hodhi pak më shumë ujë magjik se që duhet. Nuk u çliruan nga dreqi veç dy partitë, por u çlirua i gjithë populli nga shumë dreqër përnjëherësh. Aferim Burdush, në mund’sh me na shpëtu edhe nga vetja jonë disi!

*** 

Mbresëlënëse ishte edhe seanca e Kuvendit për formimin e qeverisë së re. Telenovelë me shumë lot, intriga, kërcënime, mllef, vrer dhe tradhti. Dëshpërim e shfryrje si dashnoret e këqija, që nuk duan të pajtohen se dashuria mori fund. 

Shumë interesant. Mora kokoshka dhe vura syzet 3D, por u tremba ngaqë pikërisht atëherë dikush iu hodh kryeministrit në qafë dhe unë e përjetova aq afër, sa mu duk si ngacmim seksual. Më vonë thanë se fjala qenka për një performancë. Aha. A unë paskam menduar se po shikojmë një seancë dhe jo performancë. Pas kësaj horror-skene, u rreshtuan i madh e i vogël me “kukulele” e “hajmedeta” pa fund. 

Sa herë dilnin deputetët në foltore, përjetoje një déjà vu, si në tekstet copy- paste, si në analfabetizmin që e kishin secili, më ngjitës se corona-virusi, që po thuhet se vjen nga të ngrënit gjarpinj, zhaba, lakuriqë e zvarranikë të tjerë. Çfarë tragjikomedie e mrekullueshme, sidomos për gjithë ata mysafirët e huaj; me gjithë ata aktorë diletantë, të denjë për kontejnerë historie. 

Nuk di xhanëm, pse nuk e shndërrojnë një mur të parlamentit në Murin e vajtimit dhe me lëshu lot krokodili në të, sa herë bie ndonjë qeveri. Ua mbaron baca Behxhë, filhall, ndoshta gratis. Tutje: del tipi tjetër dhe na tregon konceptin e fjalës së tij në letër. E kthen kah kamera dhe mburret se e shkruan me figura. Bravo. Hieroglife moderne – next level. Bile edhe reciton, Multitalent njeri. Jaaa, këtu Burda e paska lëshu dorën mirë. Ama tjetra filane, totalisht pa nafakë. Sa del në VV, fiton AAK. Kthehet në AAK, fiton VV. Definitivisht rast i rëndë edhe për Burdushin. 

Bile ta baksuzon edhe vetë atë. E sa lezet kur disa të diplomuar në hajni milionëshe japin këshilla si drejtohet shteti. Dhe thoshin “ke kujdes a”? E kjo po që të shkrin në gaz prej sikletit. Po për çka me pas kujdes more herifi i betonit, pos faktit të mos kenë më kurrë punë me ty, as shteti as pushteti. Një filane tjetër shkoi edhe më tutje me teknologji. Duke harruar se është në seancë, ku deputeti ka të drejtën e fjalës, çika nuk u lodh hiç, po na lëshoi një rafal deklaratash të vjetra nga telefoni i saj. 

Nga fytyra e qeshur, kuptova se ajo po mendon që po ndodh diçka e mirë. Bukur vajzë, bukur! Goxha arritje kjo. Definitivisht është një hap i madh i yti në karrierë! Urime! Edhe të tjerë u shfryen sa mundën, a thua ti se të zgjedhurit kanë faj se janë aty. Se nuk i zgjodhi populli, por u vetëzgjodhën me magji. Sa këshilla, sa kërcënime, sa “nuk lejojmë ne që ju Kosovën…”, “ti ke qenë ky ose ai…” , “mos ta merr mendja se na harrojmë…”, “ti po i gëzohesh Gjykatës Speciale”, “nuk ju lejojmë të bisedoni me Serbinë”, “Ne nuk e harrojmë gjakun e luftëtarëve”... e të tjera papagallizma si këto. 

More, a më duket se kjo qeveria e re ishte kundër Gjykatës Speciale, bisedimeve me Serbinë, mosfaljen e Çakorrit dhe mosvjedhjen e buxhetit? Apo jam gabim! Kjo pleqëri dreqi po më bën konfuze, po harroj shumë. 

Mbase këta që po vijnë në qeveri paskan faj për të gjitha ato që kanë ndodhur derisa ishte ajo e vjetra. Që i bie se pushteti paska qenë kundër Gjykatës Speciale, asnjëherë nuk ka bërë ujdi me Serbinë, nuk fali asnjë copë Kosove, nuk e zbrazi buxhetin, nuk fali miliona, nuk i përdori rezervat shtetërore, nuk i la keq pensionistët, mësimdhënësit, veteranët, popullin, nuk lejoi degradimin e arsimit, ngritjen e korrupsionit, kapjen e ligjit, zaptimin e shtetit. Jo. Nuk e harroi e piu si Kont Drakula gjakun e luftëtarëve që e trumbeton sa herë i duhet, për të fituar e përfituar, vjedhur e pasuruar, shkatërruar e amnistuar krime nga më të rëndat, për të burgosur të pafajshëm vetëm pse janë rivalë politikë. Krejt këtë e paska bërë kjo qeveria e re, ditën e parë të ardhjes së saj në pushtet. Tmerri i zi. Hiç nuk është për me i besu. 

Nuk erdhi dita, por nata. E çka ka rëndësi për ne si popull tekefundit, na fli ditën, fli natën. Për besë, unë jam që radhën tjetër ta votojmë Burdushin si deputet. Çka është sigurt, sigurt. Si të flasë farë shtrige a dreqi me gojën e deputetit, ta stërpikë psst- psst- pssssst - dhe kthjellet menjëherë që është në Parlament dhe jo në pazar të lopëve. 

***   

E kushedi Vuçiqi (çka po më dalin bre do ujqër të vegjël e gjarpinj para syve, e hangra coronën më duket!) sa i gëzohet krejt kësaj zallamahie plot urrejtje e mllef, që stërzgjatej mërzitshëm pa fund e pa krye. Prej të parit e deri tek i fundit recitonin bla-bla sikur në Fes tën e Abetares, por në versionin horror. 

Tekefundit, pse të grinden serbët me shqiptarët, kur këta vetë hahen mes vete, prej gjenezës pellazge e fiu. Kur e ka parë gjithë këtë urrejtje opozitare karshi kryeministrit të ri, të shkretit i është dukur presidenti ynë i tanishëm si gjalpë kikirikësh. Kot ia ka bajtur dertin më herët. Tipi doli i urtë, “not problematic guy”, i gatshëm për secilën marrëveshje, që bëhej katapult për Serbinë drejt Evropës. Sigurisht thotë me vete: Ec e merru vesh tash me këtë shqiptaromadhin kokëfortë! Ta fut jo veç taksën por edhe vizën. Bože pomagaj, ku dreqi na qëlluan komshinj këta kosovarë e jo ata shqiptarët e Ramës! Më në fund Serbia me Minishengen, do të bënte dalje direkt në det, po qe se nuk do të ekzistonin këta cunga shpellash. Mirë tha Bernabitchka.

Kështu mund të ëndërrojë ky bartësi i gajbeve të Sheshelit, ndërsa mua bash që më mbeti pikë, është se kryeopozitari i tanishëm, nuk mbërrini me e luftu korrupsionin ashtu siç pat premtuar rrugës, kur e shtynte autobusin përpjetë. Gjynah për besë. Po kush mundet ta luftojë më mirë se ai që e ka instaluar bashkë me vartësit e vet? Ia di edhe rrënjët ku i ka. Edhe të tjerët mbetën keq pa na treguar si formohet shteti, si mbahet, si funksionon, si vidhet, si zaptohet, si shkatërrohet, si shitet... etj. 
Ka kohë ende. Na mbetet të shohim se a na erdh vërtet dita dhe sa do ta kemi dritë e sa errësirë. Sigurt ndryshe do ta kemi, por çështja është se a do ta kemi më mirë ?! E po qe se na gënjen edhe kjo kastë politike, atëherë nuk jemi më as për mëshirë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Hevzi02/03/2020 14:50

Te lumt per ketë shkrim

Shto koment

Tjera nga Drenusha Zajmi-Hoxha