Kosovës i duhet unitet, sepse do të jetë para presioneve për zgjidhje të vështira në dialog

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 04 March 2020 08:10

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti, ish-kryeministrat Ramush Haradinaj e Isa Mustafa, ish-shefja e delegacionit për dialog Edita Tahiri, ish-koordinatori Blerim Shala, ish-ministri Enver Hoxhaj, duhet të mbyllen së bashku edhe disa ditë nëse ka nevojë dhe të sqarojnë gjithçka, secilin detaj që ka ndodhur gjatë dialogut deri më sot. Pasi të konstatohen të gjitha obligimet që ka marrë Kosova, të gjitha hollësitë e zgjidhjeve të propozuara, Kosova duhet të marrë qëndrime rreth asaj se çfarë mund të jetë e pranueshme e çfarë jo. Kjo është më e rëndësishme sesa analizat se kënd po e përshëndet e kënd po e qorton në Twiter ambasadori amerikan Grenell.

Kur e ka marrë përsipër udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti është dashur ta ketë gjetur në zyre, në arkivat e Qeverisë, letrën që Hashim Thaçi në vitin 2013, në cilësinë e Kryeministrit, ia kishte dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s lidhur me veprimet e FSK-së në veri të Kosovës. Është dashur t’i ketë gjetur aty të gjitha letrat që ka dërguar apo pranuar cilido kryeministër para tij. Sepse ato letra janë pranuar dhe dërguar jo nga persona privatë, por nga njerëz që në ato momente kanë pasur fatin, kënaqësinë, nderin dhe përgjegjësinë të jenë në krye të Qeverisë së shtetit. Duket e pabesueshme, skandaloze madje, që kryeministri i tashëm të thotë se letrën që Thaçi ia kishte dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s e ka marrë nga një zyrtar i NATO-s. Kjo dëshmon se sa gabimisht i është qasur Kosova dialogut me Serbinë, me lehtësimin e BE-së, që nga fillimi. Pa transparencë, me krijimin e përshtypjeve se në fshehtësi, me miqtë dhe armiqtë, po bëhet një punë e madhe që do ta zgjidhë një problem të madh. E, në atë proces, falë edhe mungesës së transparencës, janë krijuar shumë dëme, disa prej të cilëve më nuk mund të zhbëhen, por disa gabime të reja megjithatë mund të parandalohen.

Në secilin shtet serioz, kur ndryshohet qeveria, ata që janë në largim e sipër ua bartin të gjitha informacionet atyre që vijnë. Kështu, pa marrë parasysh a kanë qenë kundër apo jo para se të vijnë në pushtet, ata që marrin qeverinë duhet të përmbushin obligimet e atyre që në emër të Kosovës i kanë marrë më herët. Disa gjëra mund të revokohen disa jo, por asgjë nuk mund të bëhet pa pasoja potenciale. Prandaj, është koha e fundit që Kosova ta ketë një qëndrim unik në dialogun me Serbinë. Kjo është e mundshme vetëm nëse vërtet të gjithë aktorët e vënë interesin e Kosovës, edhe atë afatshkurtër edhe atë afatgjatë, para interesave personale apo partiake. Për këtë duhet tejkaluar edhe inatet personale. Kjo nuk është e lehtë, por është e domosdoshme.

Në të kaluarën ka pasur shumë gabime dhe Kosova është dukur joserioze para partnerëve. Nuk flasim këtu për BE-në e cila po ashtu nuk ka ditur, e nuk e di as sot, se çfarë do nga ky dialog. Por, më shumë për shtetet serioze dhe mike të Kosovës si Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. As sot e kësaj dite nuk janë të sigurt miqtë e Kosovës, se a është apo jo për Kosovën e pranueshme ideja e një zgjidhjeje që do të nënkuptonte ndryshimin e kufijve. Disa pjesëmarrës të një takimi në Berlin, ku ideja ka qenë që të bëhet përpjekje për përafrimin e qëndrimeve mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë gjithë tij kanë bërë përpjekje për ta afruar Presidentin Thaçi me Kryeministrin e atëhershëm Ramush Haradinajn. Që të dytë kishin mirëkuptim nga disa qarqe ndërkombëtare rreth ideve për atë që dikush e quante “demarkacion me Serbinë” e dikush “ndarje të Kosovës”. Por, kjo ide, pos që kishte shkaktuar ndasi në spektrin politik në Kosovë, i kishte ndarë edhe miqtë e Kosovës. Sepse disa dukeshin të hapur për këtë ide e disa e kundërshtonin fuqishëm. Edhe ata që ishin të hapur për ide e edhe ata që ishin kundër, thirreshin në qëndrimet e Kosovës. “Pse të jemi kundër nëse Kosova dhe Serbia vetë duan një zgjidhje të tillë”, thoshin ithtarët e idesë ndërkohë që edhe ata që ishin kundër thirreshin në faktin se në Kosovë “nuk ka gatishmëri në tërë spektrin politik dhe shoqëri për ide të tilla”.

Ideja tash duket jashtë tavolinës, por edhe mund të kthehet. Bile mund të ndodhë që të dalin ide të tilla të cilat edhe idenë e shkëmbimit të territorit do ta bënin të dukej më e favorshme. Nëse do të kërkohet një zgjidhje e shpejtë, Kosova do të përballet me presionin shumë të madh që ta pranojë statusin special për veriun dhe për serbët. Nuk është ide e re që zgjidhja të jetë “diçka më shumë se Ahtisaari dhe më pak se autonomia për serbët”. Këtë ide e kishte përmendur para shumë vjetësh një zyrtarë i lartë amerikan, ndërkohë që e kishin mbështetur edhe shumë shtete të BE-së. I tërë dialogu, sipas zyrtarëve të BE-së që e kishin përgatitur nisjen e tij, ishte një lloj pranimi se “Plani Ahtisaari ka dështuar dhe nuk mund të zbatohet”. Me apo pa vetëdije, Kosova ka pranuar që mbi këtë premisë të nisë dialogu. Pra, nëse është pranuar se “plani i Ahtissarit ka dështuar” sepse nuk e ka pranuar Serbia, tash duhej gjetur një zgjidhje që është e pranueshme për Serbinë. Kosova nuk pati fuqi, e as BE-ja të detyrojë Serbinë të pranojë Planin e Ahtisaarit. U harrua se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte e koordinuar e jo e njëanshme. U harrua edhe pjesa e udhëzimeve në bazë të së cilave punonte Ahtisaari, i cili synonte një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, por po ashtu edhe kur procesi kishte nisur, asnjëra palë nuk pati mundësi ta bllokonte zgjidhjen. Thënia e Serbisë se “në asnjë mënyrë nuk mund të pranojë çfarëdo zgjidhje që nënkupton çfarëdo lloj pavarësie”, ishte bllokim i njëanshëm i procesit nga ana e Beogradit. Kosova nuk është dashur të dorëzohej aq shpejt ndaj atyre që e shpallën “Planin Ahtisaari” të vdekur në kohën kur Kosova tërë funksionimin e saj si dhe Kushtetutën, i bazonte pikërisht në atë plan. Prandaj, tash do të vihet nën presion që të pranojë edhe më shumë. Aq më tepër në krye të Qeverisë do të jetë Albin Kurti, i cili e kundërshtonte Planin Ahtisaari në kohën kur nga Kosova do të kërkohet që për serbët të japë “diçka më shumë sesa Ahtisaari”, apo, siç ishte shprehur një diplomat i lartë perëndimor, “një autonomi për serbët që nuk do të quhej autonomi”. “Ne duhet të gjejmë një zgjidhje që nuk fillon me shkronjën A. As Ahtisaari e as Autonomi. Serbët nuk duan të dëgjojnë për Ahtisaarin e shqiptarët për Autonomi. Pra, duhet të gjejmë një lloj statusi të veçantë”, pati thënë para shumë kohësh një diplomat i lartë perëndimor, nga një shtet mik i madh i Kosovës, në bisedë me një grup të vogël gazetarësh në Bruksel.

Ka mundësi që dialogu të mos vazhdojë, që ai të dështojë, që ai të devijojë, që ai të vazhdojë edhe 20 vjet. Ka mundësi që dialogu të rezultojë edhe me befasi dhe me zgjidhje. Por, Kosova duhet të jetë e gatshme për secilin eventualitet.

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti, ish-kryeministrat Ramush Haradinaj e Isa Mustafa, ish-shefja e delegacionit për dialog Edita Tahiri, ish-koordinatori Blerim Shala, ish-ministri Enver Hoxhaj, duhet të mbyllen së basku edhe disa ditë nëse ka nevojë dhe të sqarojnë gjithçka, secilin detaj që ka ndodhur gjatë dialogut deri më sot. Pasi të konstatohen të gjitha obligimet që ka marrë Kosova, të gjitha hollësitë e zgjidhjeve të propozuara, Kosova duhet të marrë qëndrime rreth asaj se çfarë mund të jetë e pranueshme e çfarë jo. Kjo është më e rëndësishme sesa analizat se kënd po e përshëndet e kënd po e qorton në Twitter ambasadori amerikan Grenell.

Ata që sot janë në opozitë dhe dikur ishin në pushtet, sikur edhe Presidenti Thaçi, mund të thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranonte asnjë propozim dhe nuk mbështeste asnjë përpjekje për unitet rreth dialogut. Por, po ashtu, është e vërtetë se nga ata që ishin në pushtet nuk kishte gatishmëri as për transparencë e as për unitet. Vetëm kishte tentim të krijimit të unitetit për atë që pranonin pa asnjë konsultim paraprak. Nëse vazhdohet me të njëjtën sjellje, Kosova do të ketë pasoja. Dhe, siç dëshmuan zgjedhjet e fundit, qëndrimet në dialogun me Serbinë nuk kanë shumë ndikim më në rezultatet në zgjedhje. Veprimet e ish-kryeministrit Haradinaj, si taksa ashtu edhe kundërshtimi i idesë së shkëmbimit të territorit, ishin shumë të popullarizuara në opinion por ato nuk u përkthyen në vota. Edhe Vetëvendosja, më shumë vota fitoi për shkak të paralajmërimeve dhe pritjeve për luftë kundër korrupsionit, për ruajtje të parave të popullit, sesa për qëndrimet ndaj dialogut me Serbinë. BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bota në tërësi, janë në një situatë të re dhe shumë jostabile. Në SHBA, Francë dhe Gjermani është bërë e vështirë të parashikohet se kush do të jetë nesër në pushtet. NATO-ja është po ashtu para testimit në përpjekje që ta ndërtojë një identitet të ri. Këto duhet parë pa patetikë, pa akuza dhe kundërakuza se kush është pro e kush kundër NATO-s. Në këto konstalacione, uniteti brenda në Kosovë është i domosdoshëm më shumë se kurrë më parë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj