Të gjithë mbrojtësit e interesit të Kosovës

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 07 March 2020 08:18

Vëmendje! Ajo që do ta lexoni në rreshtat në vazhdim është një shkrim krejt i shkurtër. Nuk është një analizë politike, për shkak se duket të jetë absolutisht e pamundur që në premisat e dhëna të ndërrohet një analizë gjakftohtë. Më tepër i ngjan një ushtrimi për “muskujt” e mendjes. Nëse pasi që t’i lexoni këta pak rreshta nuk do ta ndieni nevojën për t’u ngritur në këmbë nëse jeni ulur, ose për t’u ulur nëse jeni në këmbë dhe njëkohësisht të kërkoni një gotë ujë – atëherë lajmërohuni sa më shpejt për analizën e ADN-së. Gjasat janë të mëdha që jeni jashtëtokësorë

Albini e fton Hashimin në takim, ky s'i shkon. Thotë takohemi më vonë me të gjithë liderët.

Hashimi i shkruan Vjosës për raportim në Kuvend, kjo i thotë më vonë. Duhet ta kryejmë edhe një seancë tjetër, të mblidhet Kryesia dhe pastaj vjen.

Isa i thotë Albinit hiqe taksën tash, ky i thotë pak më vonë.

Ramushi i thotë Albinit mos e hiq, ky i thotë do ta heq.

LVV-ja po thotë: më 1 prill taksën dhe pastaj dialogun.

LDK-ja - menjëherë taksën, pastaj dialogun.

AAK-ja - asnjëherë taksën, ta vazhdojmë dialogun.

PDK-ja s’di çka po thotë, ia ka lënë Thaçit të flasë.

Albini e fton Kadriun për takim, ky i thotë hajde ti tek unë në zyrë.

Albini e fton Ramushin, ky i thotë është dashur më herët, tash vonë.

(...mos e lëshoni frymën...)

Grenelli i thotë Albinit - gabove që po e heq taksën pas të 15-it, duhet tash.

Grenelli i thotë Isës - lider i guximshëm nëse e heq takën “nesër”, edhe pse kjo nuk ndodh.

Grenelli s’i thotë asgjë Daçiqit, edhe pse nuk e dëgjoi për ndaljen e fushatës për çnjohje.

Borrelli, që s’e njeh Kosovën, e përkrah Albinin.

Gjermania dhe Franca, që e njohin, thonë: mirë që është marrë vendim për heqjen e taksës.

Ramushi thotë: unë bëj çka të më thotë Amerika, por taksën nuk e heq.

Albini thotë: unë bëj çka të më thotë Amerika, por taksën e heq kur vendos vetë.

(...ka ende...)

Shoku i Hashimit, Edi, e sulmon Ramushin dhe e përkrah Albinin.

Shoku i Ramushit, Iliri, e sulmon Edin, e përkrah Ramushin.

NË FUND të gjithë këta thonë se të gjitha këto i bëjnë për interesin e Kosovës.

E nëse interesi i Kosovës nuk i bën bashkë, atëherë interesi tjetër mund t’i bëjë bashkë?!

(...pini ujin...)

[email protected]

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

arkitekt26/03/2020 13:17

Ndersa ti do te dalesh ne KLANKOSOVA...

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi