Proamerikanët

Agron Bajrami Agron Bajrami 08 March 2020 08:00

Nuk ka tipar më proamerikan sesa të ushtrosh lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Të jesh kritik ndaj Qeverisë dhe pushteteve, e të jesh i pavarur në mendime. Të kërkosh argumente në vend të parullave dhe të insistosh në fakte në vend të opinioneve

Debati aktual rreth preferencave pro-amerikane të kosovarëve është tërësisht i sajuar. Është - nëse përdorim terminologjinë moderne të rrjeteve sociale – fake!

Në Kosovë askush nuk ka dilema rreth rolit dhe rëndësisë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirinë e Kosovës, pavarësimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës rregullisht dalin populli më pro-amerikan në botë (jashtë amerikanëve, natyrisht), ndërsa asnjë nga partitë e shumicës shqiptare në skenën politike të Kosovës nuk kanë program antiamerikan.

Nuk ka njeri në Kosovë që nuk e di se që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e deri tek pavarësimi i Kosovës, Shtetet e Bashkuara gjithnjë kanë luajtur rol vendimtar në realizimin e aspiratave të drejta të shqiptarëve, në Shqipëri e Kosovë dhe fushata ajrore e NATO-s më 1999 dhe pavarësimi i Kosovës janë shembujt kulmorë të këtij pozicionimi amerikan.

Amerika, pra, ka vend të posaçëm në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, dhe çdo vënie në dyshim e këtij fakti është një manipulim me realitetin historik dhe politik, për arsye që vetëm manipuluesit i dinë.

* * *

E sajuar është edhe dilema që duhet zgjedhur mes Amerikës dhe Evropës.

Kur flasim për dialogun Kosovë-Serbi, mund të ketë mungesë koordinimi mes qasjes amerikane dhe asaj të BE-së, por synimi është i njëjti – të gjendet një formulë për ndërtimin e marrëdhënieve “normale” mes Kosovës dhe Serbisë. Ky ishte synimi i deklaruar në dialogun e Brukselit, dhe ky është synimi i deklaruar i administratës së Washingtonit. Shumica e shteteve të BE-së, ato që e kanë njohur Kosovën, formulën paraprake e shohin si njohje të ndërsjellë – gjë e cila thuhet edhe në mënyrë eksplicite nga SHBA-ja. Dallime ka, dhe ato kryesisht janë lidhur me atë që mund të quhen “vija të kuqe” për marrëveshjen Kosovë-Serbi, por ato dallime nuk janë mes SHBA-së dhe BE-së, por janë mes vendeve të ndryshme anëtare të BE-së. Ta zëmë, kur flasim për këmbimin e propaguar të territoreve, ishte ndërmjetësja e kaluar e BE-së, Mogherini, ajo që i dha shtytje këtij diskursi në kuadër të dialogut të Brukselit. Në anën tjetër, SHBA-ja vazhdimisht ka insistuar në një zgjidhje që arrihet mes dy palëve – gjë e cila është kuptuar si lejim në heshtje i hapjes së temës së ndryshimit të kufijve. Por, edhe BE-ja deri më tani e kishte këtë qasje. Sikur edhe disa vende të tjera të BE-së, para së gjithash Franca. Kundër ishin Gjermania dhe Britania e Madhe, të cilat pa ekuivok kundërshtonin idenë e ndryshimit të kufijve.

Por, në gjithë këtë rrëfim rreth vënies së kufijve të Kosovës në tavolinën e negociatave me Serbinë një gjë nuk duhet harruar: nuk ishin as amerikanë, as evropianë ata që e hapën këtë temë në negociata. Kjo ide e vjetër serbe u gëlltit si karrem nga përfaqësuesit e Kosovës në dialog, dhe u përkrah në mënyrë injorante nga një pjesë e politikës në Tiranë.

Andaj, dilema nuk ka të bëjë me Amerikën dhe Evropën, por me dështimin e politikanëve shqiptarë që të shohin përtej interesit të vet, dhe të bien pre e politikës serbomadhe, e cila ende nuk ka hequr dorë nga ideja e një shteti për të gjithë serbët!

* * *

I shpikur dhe marrëzi është edhe nocioni se çdo mospajtim me pozicionet e administratës amerikane është i barabartë me antiamerikanizëm!

Nuk ka tipar më pro-amerikan se sa të ushtrosh lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Të jesh kritik ndaj Qeverisë dhe pushteteve, e të jesh i pavarur në mendime. Të kërkosh argumente në vend të parullave dhe të insistosh në fakte në vend të opinioneve.

Antiamerikanë janë diktatorët, autokratët, kundërshtarët e mendimit të lirë. Antiamerikanë janë ata që keqpërdorin pushtetin, paranë publike dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve. Antiamerikanë janë ata që nuk respektojnë idenë e Kosovës së pavarur, të lirë e demokratike, në të cilën sundon vetëm ligji, dhe drejtësia është e njëjtë për të gjithë.

Për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, ia kemi një borxh të madh Amerikës . Dhe ky borxh mund të shlyhet vetëm nëse Kosova arrin të ngrihet në një shtet demokratik, ku sundon ligji, ku liria e fjalës dhe e shtypit është e garantuar, ndërsa kritika e pushteteve dhe e politikave është pjesë e patjetërsueshme e debatit shoqëror.

Të tjerat janë vetëm sajesa për hesape politike!

[email protected]

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami