Kravata e detyrueshme

Veton Surroi 17 March 2020 10:01

Jemi në supermarket, ajo dhe unë, të njohur dhe të panjohur njëkohësisht

1.

Natën kur NATO-ja bombardoi ndërtesën e Postës, rashë nga shtrati dhe u mbulova nga xhamat e dritares, e cila u bë copë e grimë nga shpërthimi që ndodhi nja pesëqind e sa metra vijë ajrore nga aty. Në dysheme iu përgjigja “jam mirë” tre anëtarëve të tjerë të familjes, me të cilët ndaja dhomën dhe nga ta mora përgjigje të njëjtë. Ende pa na zënë frika, shkundëm xhamat nga koka e trupi dhe dolëm nga dhoma për të parë se si ishin banorët e tjerë të shtëpisë së Sadik Hoxhës, gati dhjetë sish, morëm qetësimin e informatës se që të gjithë ishin mirë dhe se mirë nuk ishte godina e Postës që do të ishte gjë e mirë, sepse ajo ishte në duar të Serbisë.

Të lehtësuar nga këto informata, u kthyem për të bërë gjumë deri në mëngjes, kur zoti i shtëpisë tha se do t’i rregullonte xhamat. E tha me sigurinë më të madhe Sadik Hoxha, aq të madhe sa të mendoje se xhamin mund ta rregullonte edhe mu në atë çast, por përtonte të zhvishte pixhamat në tre a sa të mëngjesit e të dilte dhe të gjente mjeshtrin. Nga dritarja, hynte i ftohti, era e djegies - të gomës, yndyrave, flokëve - dhe heshtja e njerëzve që përpiqen të gjejnë të gjallët nën rrënoja.

2.

I zoti i shtëpisë u nis për të gjetur mjeshtrit e xhamave. E bëri pasi kishte pirë çajin e mëngjesit dhe kishte ngrënë kafjallin- gjithnjë në të njëjtën sasi , gjithnjë në kohë të njëjtë, gjithnjë të përcjellë me një kokërr ilaçi, ritual i detyrueshëm i moshës dhe i dëshirës për ta shtyrë atë moshë edhe më tutje. Kur zbriti nga dhoma e tij për të pirë çajin në kuzhinë, i kishte flokët e krehura dhe mbante erë lavande. Flokët dhe aroma kishin përpikërinë e disiplinës së ndonja dyzet vjetëve prejse e kisha parë për herë të parë në dyqanin kryesor, mbase të parë, të kozmetikës dhe parfumeve të qytetit. 

Vështrimin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t'u regjistruar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi