Si shpëtuam nga vjedhja e shekullit

Veton Surroi Veton Surroi 18 March 2020 10:04

Qeveria e kaluar ia ofroi kompanisë “Contour Global” që Kosova të bëhej çifçi i saj. Dëmin e tërësishëm do ta kuptonim në njëzet vjetët e ardhshëm.

1.

Kompania “Contour Global” kumtoi më 17 mars të vitit 2020 se tërhiqet nga ndërtimi i termocentralit me thëngjill në Kosovë.

Kosova fitoi 19 milionë euro, me aq sa do të penalizohej vendi po të kishte vendosur ta shkëpuste kontratën njëanshëm.

Në fakt, fitoi jashtëzakonisht më shumë. Dëmi i kontratës më të keqe komerciale që ka nënshkruar ndonjëherë Kosova ka mundur të jetë aq i madh sa të kalonin njëzet vjet e të mos mund ta llogarisnim.

2.

Kjo është gjendja në janar të vitit 2018.

Janë tre personazhe në këtë rrëfim: një kompani e quajtur “Contour Global”, shteti i Kosovës dhe qytetari i Kosovës.

Kompania “Contour Global” nënshkruan kontratë me shtetin e Kosovës (përfaqësuar nga Qeveria) për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 MW. Thotë se ka në xhep 30 për qind të vlerës së ndërtimit, thotë se do ta ndërtojë termocentralin për 5 vjet dhe për ta bërë këtë premton se 70 për qind të shumës së përgjithshme, 1.3 miliardë, do t’i sigurojë me kredi. Personazhi “Contour Global” arrin që në kontratë ta bëjë shtetin e Kosovës argat çifçi në njëzet vjetët e ardhshëm. Shteti i Kosovës do t'ia sigurojë kompanisë thëngjillin dhe ujin, do t'ia sigurojë një çmim 10 euro për hektar toke, do të ndihmojë, nëse mundet edhe me sigurimin e kredisë (te japonezët, me dy për qind kamatë, premton ministri Lluka). Kur të përfundojë termocentrali, shteti i Kosovës, i punësuari i kompanisë “Contour Global”, do të blejë tërë energjinë elektrike të cilën e prodhon “Contour Global”, me çmimin të cilin do “Contour Global”, por jo më lart se 80 euro për MW. Për ta bërë këtë, argati i “Contour Global”, shteti i Kosovës, do ta themelojë kompaninë publike “New Kosovo Electric Company” (NKEC), e cila do ta blejë tërë energjinë e termocentralit “Kosova e Re” dhe do t'ia shesë KEDS-it, kompanisë private turke, e cila shpërndan energjinë elektrike te personazhi i tretë, qytetari i Kosovës.

“Contour Global” gjeti formulën ideale. Shteti i Kosovës si argat i tij duhet të punojë 20 vjet për të, që t'ia shpaguajë investimin në termocentral dhe shkallën e profitit që kompania ia ka caktuar vetes. Kur ta ketë larë këtë obligim, shteti i Kosovës, si argat i kompanisë “Contour Global”, do të jetë pronar i termocentralit “Kosova e Re”.

3.

Kur e nënshkroi kontratën, shteti i Kosovës zbuloi diçka që nuk e kishte në Kushtetutën e vet.

Kushtetutë nuk shkruan se vendi duhet të jetë kontraktues i firmave private, aq më pak argat, aq më pak çifçi. Ç’është e vërteta, shteti nuk duhet të jetë kontraktues as i firmave publike, e asnjë gjëje pos qytetarëve të vet. Arsyeja pse në Kushtetutë nuk shkruan se shteti mund të jetë argat i firmave private, publike apo çfarëdo qoftë, është për shkak të definicionit fillestar, atij të pavarësisë. Shtetet pavarësohen për t’iu shërbyer interesave të qytetarëve të vet, jo për t’iu shërbyer interesave të të tjerëve.

Por ja që Qeveria e Kosovës nënshkroi një kontratë me të cilën u vu në shërbim të kompanisë private. Dhe si pjesë e shërbimit, shteti i Kosovës duhej të ishte shitës i rrymës, një lloj agjenti tregtar i kompanisë “Contour”. Kompania do t'ia shiste shtetit të Kosovës me çmim të vetin, e shteti i Kosovës duhet ta bindte distributorin privat, KEDS, se është mirë me ble prej shtetit me 80 euro njësinë (MWh) sesa me 50 a 60, a 20 apo 30 sa është në treg. Meqë nuk ekziston arsyeja e detyrimit ekonomik (nuk është më mirë të blesh me 80 sesa me 20 a 30 të njëjtën gjë), mund të ekzistojë detyrimi moral (është në të mirën e të gjithëve apo është e mirë qiellore të blesh me 80 e jo me 20), por këtu nuk kemi të bëjmë as me komunizëm e as me kishë e xhami, që do ta vënin detyrimin moral para atij ekonomik. Atëherë, në fund, mbetet detyrimi i dhunës, pra që me muskuj (biceps, triceps apo ato të instrumenteve shtetërore të dhunës) një firmë private të detyrohet që të blejë me çmim më të lartë një produkt, të cilin në treg e blen më lirë. Këtu, për përshkrim hyjnë në punë filmat amerikanë, ku mafiozët u shesin viktimave të përzgjedhura nga bota e afarizmit një tullë me nga 100 mijë dollarë secilën.

“Pse kaq”, ndonjëherë bëhet pyetja?

“Sepse ashtu them unë”, është përgjigja.

Por, meqë KEDS-i nuk është pemëshitësi i pambrojtur i lagjes dhe vështirë është t’i shitet kështu tulla, K'urani a Bibla vështirë do të ishin argument bindës për të blerë më shtrenjtë atë që mund ta blesh më lirë, dhe KEDS-i është operator ekonomik, i cili ndjek profitin e vet, shteti i Kosovës do ta kishte të vështirë të shiste tërë atë energji me çmimin me të cilin e ka blerë. Dhe, të themi sa për ilustrim, nëse do të detyrohet ta shesë për 40 euro njësinë, 40 euro të tjera do t'i regjistrojë si humbje. Në fund të vitit, meqë shteti nuk mund të jetë në humbje, buxheti i Kosovës do të ndajë subvencion për NKEC, në mënyrë që t'ia mbulojë humbjet.

4.

Personazhi i tretë, qytetari i Kosovës, ishte këtu në rrëfim për të paguar.

Meqë shteti i qytetarit të Kosovës duhet të blejë përgjatë njëzet vjetëve me çmim fiks energjinë e një kompanie private, në mënyrë që ajo të nxjerrë investimin e saj, kamatat e kredive të marra dhe profitin e projektuar, dikush duhet ta paguajë atë. Shteti, natyrisht, është i detyruar ta bëjë nëse duhet; kur ta projektojë buxhetin do të parasheh një sasi mjetesh për t’i mbuluar humbjet e NKEC-it, ndërmarrjes së vet të themeluar për ta blerë rrymën shtrenjtë dhe për ta shitur atë lirë. Paratë e buxhetit, natyrisht, janë të qytetarëve, të paguara me doganë e taksa.

Por, qytetari mund ta ndihmojë edhe më shumë këtë projekt. Nëse KEDS-i detyrohet të blejë rrymë shtrenjtë nga “Kosova e Re” atëherë qytetari mund të ndihmojë këtë projekt, duke e paguar faturën elektrike më shtrenjtë në fund të muajit.

Shteti i Kosovës i premton qytetarit një gjë: pas njëzet vjetësh shteti i tij do të bëhet pronar i një termocentrali, për të cilin do të paguajë për 20 vjet, me një çmim përfundimtar të barasvlershëm me ndërtimin e gati katër termocentraleve të këtilla.

5.

Ky qe rrëfimi për vjedhjen e shekullit prej së cilës shpëtuam.

Dimensioni i vjedhjes ishte aq dramatik sa Kosova, kundër percepcionit bazik, do të përfitonte më shumë të mos kishte termocentral të ri fare, sesa ta kishte të këtillë çfarë ka kontraktuar: përgjatë njëzet vjetëve të ardhshëm KEDS-i mund të blejë energji më të lirë elektrike në treg ndërkombëtar, sesa ka premtuar shteti se do të blinte prej “Contour Global”.

Tash, një pauzë e gjatë mendore e strategjike për Qeverinë e re. Fakti që shpëtuam nga një dëm i jashtëzakonshëm nuk do të thotë se shpëtuam nga problemi i furnizimit me energji e as të atij ndotës. Për më tepër, jemi në një kontekst krejtësisht të ri, kur çfarëdo vendimi që merret sot duhet të ketë parasysh se më 2050 në tërë kontinentin do të ketë 0 për qind emisione karboni.

(Pjesë të këtij teksti u shkruan më 2018. Qeveria e asokohshme qe krejtësisht shpërfillëse ndaj argumenteve të parashtruara. Po të mos kishte pasur ndryshime politike në vend, kjo kontratë mund t’i ishte paraqitur Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që shteti të ishte garantues për kreditë që do t’i merrte “Contour Global”).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi