Virusin duhet ta mposhtim, sepse me të nuk ka negociata e as armëpushim

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 23 March 2020 09:41

Ajo që është dëshmuar në shumicën e rasteve është se autoritetet nuk janë duke e fshehur të vërtetën. Edhe pse teoritë e konspiracionit nuk mungojnë as kësaj radhe, nga ato se virusin e ka krijuar dora e njeriut, deri tek ato se qeveritë po gënjejnë, e vërteta është se askush nuk e di të vërtetën e plotë. Dhe si mund të akuzosh se nuk po e thotë të vërtetën dikush, kur askush nuk e di të vërtetën

Ishte periudha e luftës në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Në mbrëmje, në lajmet e radios, sepse në atë kohë ishte luks edhe shikimi i TV-së, jepej lajmi se si dita e mëhershme në Sarajevë kishte kaluar “relativisht e qetë” dhe mbi qytet ishin hedhur “vetëm” 35 granata. Si ishte e mundur që të vlerësohej si “relativisht e qetë” situata, kur mbi qytet ishin hedhur 35 granata gjatë 24 orëve të fundit. Për arsye se më herët ky qytet ishte sulmuar me mbi 200 granata në ditë. Dhe krahasuar me këtë, 35 granata dukeshin “vetëm 35” dhe situata vlerësohej “relativisht e qetë”.

M’u kujtuan këto lajme nga Sarajeva e periudhës së luftës përderisa të dielën mbrëma lexojmë se në Itali në 24 orët e fundit kanë vdekur 631 persona të infektuar me koronavirus. Por ky jepej si “lajm i mirë”, sepse, për herë të parë pas rritjes së njëpasnjëshme të numrit të vdekjeve nga ky virus, numri ishte më i vogël sesa një ditë më herët. Numri prej 631 të vdekurve në Itali dukej “lajm i mirë”, sepse ishte për 162 persona të vdekur nga kjo mortajë e re, sesa një ditë më herët. Dhe mendohej se do të kthente shpresën se lakorja e vdekjeve, krahas numrit të infektimeve të reja me rritje më të vogël sesa një ditë më parë, do të niste uljen.

Ka më shumë se një muaj ku në pothuajse secilin shtet të botës lajm kryesor, e shpesh edhe i vetëm, është numri i të infektuarve të rinj, numri i të vdekurve, numri i atyre që testohen. Dhe dhënia e këtyre shifrave, prapa të cilave janë njerëzit dhe jetët e tyre, u shndërrua në një rutinë, në një realitet të ri me të cilën përballen të gjitha shtetet, disa më shumë e disa më pak, por asnjë shtet nuk është kursyer.

Dhe jo vetëm mediat, por edhe shtabet e emergjencës, qeveritë, ministrat, virologët dhe ekspertët e tjerë presin shifrat që së paku do të tregojnë ndryshimin e trendit, nisjen e rënies së lakores. Dhe në këtë rënie të lakores të kthehet optimizmi se gjërat janë duke shkuar nga e mira. Dhe se kjo e keqe do të kalojë shpejt.

Por gjërat nuk janë aq të thjeshta. Në këtë betejë kundër virusit kemi shumë të panjohura. Dhe frika nga e panjohura është gjithmonë e madhe. Nuk ka qartësi e as si të lexohen numrat. Edhe pse nga numrat mund të mësohet shumë. As ekspertët nuk po i kuptojnë më as numrat. Pse në Itali pothuajse 10 për qind e të infektuarve kanë vdekur e në Gjermani më pak se 1 për qind. Nuk dihet as sa ditë zgjat përhapja nga një trup në tjetrin. Nuk dihet me siguri as sa njerëz vërtet janë të infektuar. Në Belgjikë ekspertët pohojnë se mund të ketë nga 10 herë deri 100 herë më shumë sesa që dëshmojnë testet. Sepse në një shtet prej 11 milionë banorësh testohen në ditë vetëm rreth 2000 prej tyre, dhe madje ata të cilët tregojnë simptoma të rrezikshme dhe janë raste për t’u shtrirë në spital. Por për përhapjen e virusit më të rrezikshmit janë ata të cilët nuk e dinë se e kanë atë virus. Prandaj, edhe nuk ka pasur mënyrë tjetër për ta ndalur ngritjen e lakores.

Kjo rutinë e lajmeve të këqija, në pritje të lajmeve më të mira, është shndërruar në një “normalitet të ri” sikurse për katër vjet me radhë ishte pothuajse normalitet të dëgjoje çdo mbrëmje për numrin e granatave që hidheshin mbi qytetin e Sarajevës.

Dallimi ishte se në kohën e luftës bëheshin përpjekje për negociata, për armëpushim, për marrëveshje paqësore. Nëse njerëzit do të kishin vullnet të mirë, luftës edhe mund t’i jepej fund. Me virusin nuk janë gjërat ashtu. Me të nuk mund të negociohet, nuk mund të shpallet armëpushim e as të ftohet në ndonjë konferencë të paqes. Edhe kur njerëzit kanë vullnetin e mirë, gatishmërinë, guximin dhe aftësitë, dhënia fund kësaj beteje nuk është krejtësisht në duart e njerëzve.

Ajo që është dëshmuar në shumicën e rasteve është se autoritetet nuk janë duke e fshehur të vërtetën. Edhe pse teoritë e konspiracionit nuk mungojnë as kësaj radhe, nga ato se virusin e ka krijuar dora e njeriut, deri tek ato se qeveritë po gënjejnë, e vërteta është se askush nuk e di të vërtetën e plotë. Dhe si mund të akuzosh se nuk po e thotë të vërtetën dikush, kur askush nuk e di të vërtetën.

Me kalimin e kohës u dëshmua se e kanë pasur gabim edhe ata që thoshin se “ky virus është sikur edhe gripi sezonal”, edhe presidenti amerikan Trump, kur tallej me virusin duke e quajtur “rrenë e re e demokratëve” që nuk ekziston fare si kërcënim. Të gjithë mund të gabojmë, sepse nuk e dimë të vërtetën. Sikur e vërteta për këtë virus të ishte aq e thjeshtë, edhe beteja kundër tij do të ishte më e lehtë dhe fitorja më e shpejtë. Por, sa më shumë që mësohet, aq më afër është edhe fitorja. Dhe sikur pas secilës betejë pasojat mbeten të mëdha. Nuk mund të evitohen për fat të keq në tërësi, por të gjithë duhet të bëjnë maksimumin për t’i ulur ato.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj