Si do të duket ardhmëria në vjeshtë?

Enver Robelli Enver Robelli 24 March 2020 08:19

Tri rrëfime në kohën e pandemisë: mbi kolerën dhe pasionin, mbi “vdekjen e zezë” që në mesjetë erdhi nga Azia dhe një leksion nga Matthias Horx, hulumtuesi më i njohur i ardhmërisë në hapësirën gjermane.

1.

Te tregimi “Vdekja në Venecie” (Der Tod in Venedig / Death in Venice) të nobelistit gjerman Thomas Mann, personazhi Gustav von Aschenbach përballet me dy gjendje të jashtëzakonshme. E para është: pasioni që ndien ndaj djaloshit të bukur polak Tadzio. E dyta: kolera. Kur e merr vesh se në Venecie (ose Venetik, siç thoshte Fan Noli) është përhapur kolera, Gustav von Aschenbach ndien njëfarë satisfaksioni dhe nuk largohet, sepse, siç thotë, pasionit nuk i shkojnë për shtati rendi i sigurt dhe mbarëvajtja e përditshmërisë. Në atë çast që rendi publik lëkundet, bota hutohet dhe goditet nga ndonjë mallkim, pasioni shpreson se papritur do të gjejë shansin e tij, mendon Gustav von Aschenbach. Me këtë shpresë ai vendos të qëndrojë në Venecie – përkundër kolerës. Epilogu është tragjik: Gustav von Aschenbachu vdes nga përplasja e gjendjes së tij të brendshme, të jashtëzakonshme, me gjendjen e jashtme të jashtëzakonshme. Gjendja e brendshme, pra pasioni, nuk e lë të ikë nga gjendja e jashtme e jashtëzakonshme.

Ka së paku dy përkthime në shqip të tregimit “Vdekja në Venecie”, këtu po i jap të dhënat e botimit nga shtëpia botuese “Beqir Musliu” në Gjilan (2017): Thomas Mann: Vdekja në Venecie. Përktheu: Beatriçe Balliçi. Redaktor: Anton N. Berisha. 108 faqe. [Sa i përket titullit: më saktë mbase do të ishte “Vdekja në Venedik” (ose Venedig), duke u bazuar edhe te përkthimet e Vedat Kokonës “Tregtari i Venetikut” apo Noli “Otello. Arapi i Venetikut” të Shakespeare-it].

2.

Supozohet se shtrirja e koronavirusit në Itali ndërlidhet me numrin e madh të punëtorëve kinezë që punojnë në Italinë Veriore. Rastësi apo jo: edhe sëmundja ngjitëse e murtajës në vitin 1348 arriti nga Azia në portet e Italisë dhe nga aty u përhap në pothuaj mbarë kontinentin. Në vitin 1353 murtaja u shtri deri në Skandinavi. Supozohet se vdiq një e treta e popullsisë së Evropës, rreth 25 milionë. Te vepra “Dekameroni” shkrimtari Giovanni Boccaccio përshkroi kërdinë e murtajës në Firence: “Ditë e net vdisnin shumë njerëz në rrugë, ndërsa shumë të tjerë që së paku vdisnin në shtëpitë e tyre përmes duhmës së trupave të tyre të kalbur ua bënin me dije fqinjëve se tashmë kanë vdekur...”.

Mjeku personal i Papës, Guy von Chauliac, i cili ishte njëri prej kirurgëve më të njohur të mesjetës, në veprën e tij “Collectorium Artis Chirurgicalis Medicinae” kështu e përshkroi “vdekjen e zezë” në Avignon më 1348: “Vdekja e madhe filloi në janar dhe zgjati shtatë muaj. Dalloheshin dy forma të sëmundjes: e para u shpërfaq në dy muajt e parë me temperaturë të vazhdueshme dhe këlbazë të përgjakshme. Të gjithë vdiqën brenda tri ditëve. Forma e dytë shpërfaqej po ashtu me temperaturë të përhershme, por shkaktonte edhe të thatët me bullunga në sipërfaqe të trupit, sidomos nën sqetulla dhe në rrëzën e kofshës. Këta të sëmurë vdisnin brenda pesë ditëve... Njëri infektohej nga tjetri dhe pastaj vdisnin familje të tëra, pa kujdes, dhe varroseshin pa prift”. Virusi i murtajës ishte bartur përmes pleshtave të minjve, të cilët lodronin nëpër anijet që lundronin me mall nga Azia në portet italiane. Prijëse në izolimin e virusit ishte në atë kohë Republika e Venedikut. Në ishujt para Venedikut u hapën spitale fushore për veçimin e të prekurve nga sëmundja ngjitëse. Regjione të tëra i izoluan, fillimisht për “quaranti giorni”, domethënë për 40 ditë. Nga kjo buron fjala karantinë.

3.

Për çka do të qeshim në vjeshtë? Matthias Horx, hulumtuesi më i njohur i ardhmërisë në hapësirën gjermane ka disa mendime për t’i ndarë me ne. Një gjë është e sigurt: bota nuk do të jetë më e tillë siç ka qenë deri më tani, thotë Matthias Horx në një bisedë me një revistë nga Tiroli i Austrisë. Teksti i tij po qarkullon me shpejtësi vetëtime në botën digjitale gjermanishtfolëse. Në vjeshtë, nënvizon Horx, do të habitemi kur ta shohim botën. Bota nuk do të kthehet në normalitetin e deritanishëm, sepse ka momente kur ardhmëria e ndryshon drejtimin. Ky është një moment i tillë. “Kriza në thellësi” i quan këto zhvillime shkenca e hulumtimit të ardhmërisë. Bota siç e kemi njohur po shembet para syve tanë.

Pas kësaj bote, shton Horx, gjendet një botë tjetër, dhe me metodat e hulumtimit të ardhmërisë mund të kemi një parandjenjë se si do të duket ajo botë. Mjeti për ta përshkruar atë botë quhet RE-gnozë. Ky është shikimi nga ardhmëria në kohën tonë. E kundërta e PRO-gnozës. Kjo është një metodë me të cilën proceset vizionare në ndërmarrje kanë bërë përvoja të mira.

Atëherë si do të duket e ardhmja? Sipas Horx, pak a shumë kështu: shtator 2020. Kriza ka kaluar. Njerëzit rrinë në kafene, në rrugë, pinë verë. Gjithçka duket si më herët. Por dallimet janë thelbësore dhe formësojnë të ardhmen e re. “Do të habitemi kur të shohim se heqja dorë nga kontaktet sociale, sepse kemi qenë të shtyrë ta bëjmë këtë, rrallë ka shkaktuar vetmi të njerëzve. Përkundrazi. Pasi jemi ngrirë nga tronditja do të jemi të lehtësuar që në kanalet e panumërta të komunikimit që ishim të shtyrë t’i përdorim, tani u kthye pak qetësia”, thotë Horx. Të heqësh dorë nga diçka nuk domethënë të humbësh diçka. Është ngjashëm sikur kur bën një lloj agjërimi me intervale (kjo është një dietë e njohur), mendon Horx. Pastaj ushqimi ka shije më të mirë, më intensive. Në mënyrë paradoksale distanca trupore, për të cilën na ka detyruar virusi, krijon njëkohësisht afërsi të re. Ne telefonojmë më gjatë, më shpesh dhe më intensivisht me miq. I dëgjojmë më shumë. Lidhjet riforcohen. Edhe raportet tona me fqinjët tanë kanë ndryshuar në pjesën më të madhe, janë përmirësuar.

“Do të habitemi sa shpejt telekonferencat dhe videokonferencat do të bëhen pjesë e përditshmërisë. Kundër tyre kanë qenë shumica e kolegëve tanë. Më i mirë ka qenë avioni i biznesit. Arsimtarët kanë mësuar shumë gjëra përmes mësimdhënies me internet. Puna nga shtëpia (Homeoffice) për shumë njerëz do të jetë diçka e vetëkuptueshme. Edhe improvizimi dhe fleksibiliteti me kohë që ndërlidhet me punën nga shtëpia. Njerëzit që harronin të merrnin edhe frymë dhe nuk ndaleshin kurrë, befas dalin e shëtisin. Edhe të rinjtë. Të lexosh libra befas është shndërruar në kult. Reality Shows (emisionet që simulojnë realitetin) duken tepër, tepër të turpshme, por edhe krejt mbeturinat triviale, krejt bërlloku shpirtëror, që rridhte nëpër të gjitha kanalet. Ai nuk do të zhduket plotësisht, por shpejt do të humbë vlerën. Të gjitha këto janë shembuj që përmes koronës do të ndodhë një ndryshim masiv i vlerave”, thotë Horx.

A do të habitemi edhe për gjëra të tjera? Po, vazhdon Horx. Do të habitemi kur në verë do të zbulohen ilaçe që do të ngrenë shanset e mbijetesës. Numri i të vdekurve do të bjerë dhe korona do të jetë një virus me të cilin duhet të jetojmë – ngjashëm si me një grip apo me shumë sëmundje të tjera. Ka ndihmuar mjekësia e përparuar. Por ne po ashtu e kemi kuptuar këtë: vendimtare nuk ka qenë aq teknika, por ndryshimi i formave sociale të sjelljes. Fakti që njerëzit me gjithë kufizimet kanë qenë solidarë dhe konstruktivë ka ndihmuar. Do të habitemi sa shumë humor e solidaritet është krijuar në ditët e virusit.

Ekonomia do të dëmtohet, por nuk do të shkatërrohet dhe nuk do ta prekë pikën zero. Thua se ekonomia është një krijesë që merr frymë, që dremit apo fle dhe madje mund të ëndërrojë. Nga vjeshta ekonomia botërore do të ekzistojë sërish. Do të mbijetojë zinxhiri i prodhimit. Ekonomia do të rikonfigurohet. Në ndërmarrjet prodhuese dhe shërbyese do të shtohen magazinat e përkohshme, depot, rezervat. Do të shtohet numri i ndërmarrjeve prodhuese lokale, rrjetet do të lokalizohen, zejtaria do të përjetojë një rilindje. Sistemi global do të shkojë në drejtim të gloKALlizimit: lokalizimit të globales.

Të gjithë e njohim ndjenjën e tejkalimit të suksesshëm të frikës. Kur shkojmë te dentisti, ne shumë më herët frikësohemi. Në karrigen e dentistit e humbim kontrollin dhe kjo na dhemb para se të ndiejmë dhimbje. Duke e anticipuar këtë ndjenjë ne i nënshtrohemi frikës, e cila mund të na përpijë e tëra. Kur ta tejkalojmë këtë procedurë, vjen ndjenja e përballimit (anglisht: coping): bota duket sërish e re dhe e freskët dhe ne kemi shumë vullnet për punë.

Në aspektin neurobiologjik adrenalina e frikës zëvendësohet me dopaminin, një lloj droge e ardhmërisë që e kemi në trup. Ndërsa adrenalina na shtyn të ikim apo të luftojmë (gjë që në karrigen e dentistit nuk është aq produktive, siç nuk është as lufta kundër koronës), dopamini hap sinapsat e trurit: jemi të interesuar për atë që na pret, kureshtarë, parashikues. Nëse kemi një pasqyrë të shëndoshë të dopaminit, atëherë bëjmë plane, kemi vizione që na ndihmojnë të marrim vendime të matura.

Dhe porosia e fundit e Matthias Horx: ndoshta virusi ka qenë një lajmëtar nga ardhmëria. Porosia e tij drastike është kjo: civilizimi njerëzor është tepër i dendur, tepër i shpejtë, tepër i ndezur. Ky civilizim po fluturon me shpejtësi në një drejtim, që nuk ka ardhmëri. Por ardhmëria e rigjen veten, e ndal sistemin. Ul temperaturën, cool down, siç thuhet në anglisht. Muzikë në ballkone! Edhe kështu është ardhmëria!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Ilir26/03/2020 12:33

Si gjithnje, shkrimet e juaja na japin nje perspektive tjeter me largpamese. Ju pergezoj!

Bardh25/03/2020 10:59

Bravo zoteri Robelli! Ne te njejten kohe ndjeku shtypin nderkombetar me theks ate gjermanofoles poashtu lexoj edhe Kohen. Ndjehem i lumtur qe edhe ne vendin tim ka shkrime te nivelit te larte. Faleminderit!

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli