Ambasadorit nuk ka kush t’i shkruajë

Veton Surroi Veton Surroi 25 March 2020 09:44

Si u zhvilluan negociatat për taksën dhe nuk ua vuri kush veshin.

1. 

Arancha Gonzalez Laya nuk është ndonjë emër i njohur për opinionin publik kosovar. Ja që është ministre e Jashtme e Spanjës. Dhe ja që dje, ndërsa vendi i saj ishte në kulm të krizës me pandeminë e COVID-19, vendi evropian më i sulmuar pas Italisë, gjeti kohë e dha një postim të thjeshtë e domethënës në Twitter. 

“Një hap në drejtim të duhur. Kosova miraton heqjen e pjesshme të tarifës 100 për qind ndaj Serbisë”. Spanja të përshëndesë ndonjë hap të Qeverisë së Kosovës nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Për më tepër, jo e jo në thjeshtësinë e Twitterit, ku Kosova është Kosovë dhe Serbia është Serbi, pa nevojë asterisku e shpjegimesh. Në fjalorin diplomatik të Twitterit, të dy vendet janë të barabarta dhe në këtë fjali që të dyja janë të tilla për Spanjën. Diplomaci në kohë të COVID-19, mund të thoshte njeriu. Në këtë kohë krize nuk do ta çante kokën kush në Spanjë edhe po qe se cicërima e ardhshme e Arrancha Gonzalezit  do të ishte se Mbretëria e Spanjës e njeh Republikën e Kosovës dhe vendos marrëdhënie diplomatike me të. 

Dhe ndoshta COVID është njëri element i këtij rrëfimi. Të ballafaquar me këtë pandemi, problemet e tjera marrin dimension minimal, kërkojnë zgjidhje më të shpejtë, më praktike. Kështu dje, BE-ja më në fund aprovoi vendimin për hapje të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 

Në këtë kontekst të sotëm, duken krejtësisht të kota arsyetimet e bëra asokohe që penguan hapjen e negociatave. Posaçërisht, ngase përderisa shkruaj këtë tekst Shqipëria ka një sfidë më të madhe për të kaluar, atë të COVID-19 dhe duhet ta bëjë me mund të vetin. 

2. 

Cicërima e ministres spanjolle ishte indikatori interesant, por anësor, i një zhvillimi shumë më të madh karshi Kosovës. Para vetëm një jave në Kosovë zhvillohej një garë rëndësie mes pandemisë dhe kërkesës së ambasadorit Grennell (apo interpretimit që i bënë kësaj kërkese presidenti Thaçi dhe vartësit e tij, p.sh. Skënder Hyseni) për heqjen e menjëhershme të taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe të BH-së. 

Një javë më pas pandemia ka marrë gjithnjë e më shumë vëmendje, ndërsa çështja e taksës ka marrë një rrugë të qetë diplomatike. Kancelarja Merkel bisedoi në videokonferenca të ndara me presidentin Vuçiq dhe me kryeministrin Kurti. Meqë të dytë u pajtuan që çështja e taksës të trajtohet tutje në proces negociator mes dy palëve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, e brenda kontekstit të sigurimit të qarkullimit të lirë të mallrave pa barriera jotarifore.

Në këtë kontekst, pozicioni që kishin ndërtuar së bashku partnerët e koalicionit qeverisës LVV-LDK, që taksa të zëvendësohet me reciprocitet, në një ecje graduale, është përkrahur nga BE-ja. Madje, siç e pamë, edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, sikur Spanja. Pra, kur Kosova hoqi pjesërisht tarifat për lëndë të parë nga Serbia e Bosnjë-Hercegovina, dhe Serbia e Kosova pranuan që të bisedojnë për heqjen e barrierave jotarifore, u vendos tryeza e reciprocitetit në marrëdhënie tregtare. 

Kosova ka të drejtë që në tryezën e ndërmjetësuar nga BE-ja të parashtrojë parimin se do të krijojë liri për hyrje malli (njerëzish, transporti) nga Serbia aq sa ka liri për hyrje malli (njerëzish, transporti) nga Kosova në Serbi.

3. 

Po, pra, po zhvillohet diplomaci edhe në kohë COVID-19, dhe qartazi kur nuk është se po përqendrohet kush në të. Por ata që po përqendrohen po i përcjellin hapat. Miroslav Lajçak, ish-ministër sllovak i Punëve të Jashtme, do të jetë ndërmjetësi evropian në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova nuk zgjodhi formën më të mirë për t’u marrë me këtë çështje. 

Nga vetë presidenti i vendit filloi një fushatë kundër tij, që pastaj nga kritikuesit e presidentit (të shumtë) dhe dashamirët e jodashamirët e Kosovës (jo të paktë) u mor si kritikë ndaj BE-së. Në fakt, Kosova nuk ka pse të merret me personalitetin e ndërmjetësit. Ai duhet ta ketë besimin e BE-së; nuk është i punësuar nga Kosova. Kosova është dashur të merrej me përmbajtjen e procesit negociator. Ai i kaluari, i filluar nga baronesha Ashton, degjeneroi me F.Mogherini dhe me aventurën e bisedimeve për këmbime territoriale. 

Negociatat u zhvilluan që nga viti 2012 se si të rirregullohet Kosova, qoftë nga aspekti kushtetues e pastaj edhe territorial, e jo si të rregullohen marrëdhëniet mes shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë. Kosova ka tash rastin të merret me përmbajtjen e jo me ndërmjetësin. 

Dhe do të jetë - sipas kumtesës së kancelares Merkel dhe deklaratave të Quintit - Qeveria ajo e cila tash duhet të merret me këtë kontekst të ri negociator. 

4. 

Nesër, kur të dalë ky artikull, Kuvendi i Kosovës do të merret me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës. Një pjesë e tekstit të mocionit kishte të bënte me diplomaci në kohën e COVID-19. Sipas kryetarit të LDK-së, prijësit të forcës që inicioi mocionin, atij i vinin mesazhe në telefon nga ambasadori Grenell. 

Mesazhet, siç do të shkruante më vonë në letrën drejtuar partnerit të tij të koalicionit, kishin të bënin me kërkesën që taksa të hiqej menjëherë dhe pa reciprocitet. Dhe, mocioni hyn në votim tashmë kur taksa po hiqet, reciprociteti po vendoset, këtë po e aplaudojnë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, sikur është Spanja (madje në kohë të vdekjes së madhe të qytetarëve të vet). Serbia nuk e ka më kushtëzimin që të hiqet taksa e pastaj të bisedohet. 

Çdo gjë ka ndryshuar, por ambasadorit nuk ka kush t’i shkruajë. Mbase edhe për të pyetur: e çka të bëjmë tash? Apo për të interpretuar ato që mendojnë apo duan të mendojnë se u janë thanë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Gezimi27/03/2020 13:12

Bash jeni robot!

Luigji26/03/2020 12:33

Askush nuk po pyet se QFAR INTERESI TE MADH PASKA ADMINISTRATA E TRUM ME KRIJU PAQ MES KOSOVËS DHE SERBISË????!!!!!!!!!!! ata thjesht kanë dështuar ne çdo cep te botes me politiken e jashtme dhe ju duhet një SHOW MARRËVESHJE para zgjedhjeve atje. Serbia e ka kuptuar ate, dhe Rusia do ta përkrah një zgjidhje qe nënkupton edhe territoret, sepse atehere ka një argument te fort me territoret Ukrainase.

Agimi26/03/2020 12:37

Problemi ne raport me SHBA qendron ne ate se pa i kushtezuar kurre askush keta tanet spekulokne deri ne akuzim te kundershtarit apo edhe gjykim,se te pasurit qendrim per nje çeshtje eshte blasfemi qe gjykohet si antiamerikanizem,nuk dmth se çdo qendrim i pushtetit aktual amerikan eshte i njejte me ate qe do te jete neser,sado qe nuk mund ti ikin interesit kombetar afatgjate

Adi25/03/2020 13:52

Perhaneeee, cila shkronjë e "kontratës" nuk u respektuanga VV? Nuk u respektua nga ana e LDK-së, sepse kishin koalicionin e fshehtë me Thaçin.

Perhan25/03/2020 11:20

Porosia nga Washingtoni eshte i qartë, ti mundesh me interpretu si te duash. Plus kontrata per koalicionin nuk u respektua prej anes se w.

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi