Vështrime

Albini është i papërsosur, por edhe i hershëm për ne

Të jesh atdhedashës kam mësuar nga të diturit, nuk është e nevojshme të jesh partiak. Përkundrazi dhe mjerisht, lidhja me parti politike në Kosove krijon konotacione të kundërta, dhe bëhet për të dëshmuar patriotizëm të një lloji ose tjetër, shpesh të rrejshëm. Për këtë arsye, më primare se të jesh partiak, për qytetarët (e deputetë) është të posedosh ndërgjegje e përgjegjësi personale e qytetare, pastaj edhe ideologjike e partiake. Pa të parat, të dytat vihen në shërbim të vetes e të çdokujt. Të hënën e kaluar, deputetët e Kosovës treguan së pari se kush janë si individë. Në Kuvend, të hënën që shkoi, u pa qartë se cilët deputetë ishin në shërbim të popullit, e cilët në shërbim të politikave partiake. Të hënën e kaluar, deputetët e Kosovës dëshmuan se këto të dyja qëndrojnë në kundërshtim me njëra-tjetrën

Mendimin personal për Albinin, tash që çdonjëri e posedon një, po aq sa të parëndësishëm, e kam jopartiak. Por si çdo mendim tjetër e mbaj të rëndësishëm vetëm për aq sa lidhet me të përgjithshmen. Së paku dy merita mban Albini në kontributin e së përgjithshmes kosovare, që nuk është lehtë të mohohen as nga ata që vendosmërisht merren me mohime meritash të Albinit, por as nuk duhet keqpërdorur nga ata që tentojnë ta shndërrojnë Albinin në profet. E para, është merita e kthimit te besimi në ekzistencën e liderit të pakorruptuar. E dyta, dhe më e rëndësishmja është kthimi i besimit në vetëdijesimin e popullit që kërkon ndryshime.

Kosova një herë e lodhur nga lufta, e tashmë e lodhur edhe nga paslufta, pati liderë të shumtë, nga parti të ndryshme. Asnjë i përsosur, disa larg nga përsosmëria. Populli iu dha besimin, pastaj u besoi përsëri. Më pastaj u zhgënjye dhe qëndroi siç ishte mësuar, duke pritur e shpresuar në udhëheqje më të denjë në shpëtim nga të huajt. Gjithë kjo, derisa vidhej nga brenda nga të vetët, e shtrydhej nga jashtë nga të huajt. Korrupsioni i liderëve politikë u bë me kohë, për popullin e Kosovës një natyralitet i të qenit ne pushtet dhe si i tillë nuk luftohej dot.