Vështrime

Mos i ndani miqtë e Kosovës, sepse do të na duhen përsëri

Në kohën e betejave të brendshme politike, brutale, të pandershme, të pamoralshme dhe të rrezikshme, politikanët në Kosovë po shkaktojnë ndasi edhe në mesin e miqve të Kosovës. Kanë krijuar dilema të papara deri tash: a jemi me Amerikën e me Evropën, a jemi me Grenellin a Eliot Engelin, a jemi me Trupmin dhe djalin e Trumpit, apo me Baidenin dhe djalin e tij, me Merkelin apo me Erdoganin. T’i lëmë rehat miqtë e Kosovës, sepse nuk po mbesin shumë. Dhe në këto momente edhe ata kanë hallet e veta; si të mbijetojnë, si do të përballen me pasojat shkatërruese të ekonomisë. Ata nuk veprojnë sipas ndjenjave momentale, hidhërimeve dhe impulseve, prandaj as kur të kalojë kriza nuk do ta dënojnë Kosovën pse nuk i ka dëgjuar Isa Mustafa apo Albin Kurti, apo Ramush Haradinaj. Po të ishin të vërteta të gjitha ato që fliten në Kosovë, atëherë Kosovën do të duhej ta harronin miqtë tanë “të gënjyer” apo “të tradhtuar”

T’i sqarojmë dy gjëra: E para është se në Kosovë është krijuar një koalicion i ri i partive politike, gjithëpërfshirës, i orientuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje, dhe arritën ta votonin rënien e Qeverisë. E dyta është se shumica e madhe e miqve të Kosovës ishin kundër rrëzimit të kësaj qeverie në këtë kohë, edhe pse nuk favorizojnë një parti apo tjetrën, dhe se përsëritën do të punojnë me secilën qeveri të cilën e zgjedh populli i Kosovës.