Vështrime

Në Prishtinë nuk ka më aleancë transatlantike – dhe kjo është një tragjedi

Kosova ka ecur përpara kur pas vetes ka pasur amerikanët dhe europianët. Tani SHBA dhe BE në Kosovë mbajnë qëndrime të kundërta. Është shumë lehtë të drejtohet gishti tregues nga njëra palë për të shfajësuar palën tjetër. Por pa politikat katastrofale të BE-së, Kosova nuk do të përfundonte në këtë qorrsokak. Dhe pa indiferencën e administratës së Barack Obamës ndaj problemeve të Kosovës, punët nuk do të kishin arritur këtu ku janë sot. Që askush nuk është marrë seriozisht me Kosovën në dekadën e fundit ka të bëjë edhe me klasën e korruptuar dhe kriminalizuar politike kosovare, ndaj së cilës shtetet e fuqishme kanë mbajtur distancë higjienike.

Përtej tifozërisë lokale për parti e personalitete të çarshisë së Prishtinës, duhet parë një zhvillim shqetësues: është hera e parë në tri dekadat e fundit që SHBA-të dhe BE-ja nuk kanë qëndrim të përbashkët ndaj një problemi në Ballkan. Boshti transatlantik momentalisht nuk po vërehet në Kosovë. Sa i përket tarifave dhe reciprocitetit: BE mbështet qeverinë në largim të Kosovës, SHBA-të janë kundër masave të nënshkruara nga kryeministri, sepse ato përfshijnë reciprocitet. Në Prishtinë, siç po shihet, nuk ka më aleancë transatlantike – dhe kjo është një tragjedi.