Vështrime

LDK-ja dhe PANdemia

LDK-ja nuk e pranon publikisht, e nuk e thonë me zë të lartë as ata që duan ndryshimin brenda saj, se shkak i prishjes së koalicionit nuk është VV-ja e as shpërfillja që ia ka bërë ajo, por se ky subjekt politik është i kapur dhe i shantazhuar nga brenda e nga jashtë

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pasur një, por po e zëmë që i ka pasur dy, arsye parimore për t’u hidhëruar nga partneri në qeveri, Lëvizja Vetëvendosje. Ka pasur arsye edhe të kërcënojë me largim, e çfarë jo tjetër. Por, ajo, po ashtu ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve, edhe duke shfaqur kritikat ndaj VV-së, por edhe vetëkritikat për shkeljet e parimeve mbi të cilat është ndërtuar koalicioni. Nëse për asgjë tjetër, të paktën për të kërkuar nga partneri modifikim të parimeve të marrëveshjes me arsyetimin se janë krijuar rrethana të reja, përfshirë edhe ndryshimin e atyre pikave që LDK-ja nuk ka mundur t’u qëndrojë besnike, siç është çështja e taksës ndaj mallrave të Serbisë. LDK-ja është dashur të jetë e sinqertë dhe t’ia bëjë me dije VV-së se brenda saj ka shumë fraksione dhe se gjatë rrugës mund të shfaqen vështirësi. Se ndryshimi prek edhe interesat e njerëzve brenda partisë dhe se të punosh kundër vetvetes nuk është gjë e lehtë.