Vështrime

LDK-ja, masha e Thaçit

Me këto veprimet e fundit, LDK-së tashmë i doli boja krejt, siç do të thoshin në popull. Dhe kjo ngjyrë e rënë e zbulon një LDK cullak: mashtruese, joparimore, skajshmërisht oportuniste dhe përfundimisht bashkëpërgjegjëse jo e vogël për gjendjen në të cilën është aktualisht Kosova

Plani i Thaçit, të cilin e kisha përmendur në zgafellën e shkuar, nisi të realizohej. Në cilësinë e interpretuesit psikologjik/juridik/antropologjik/kushtetues/dhe çfarë tjetër jua ka ënda, Thaçi "me keqardhje konstatoi se me veprimet e tij Kurti nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë” dhe për pasojë nisi konsultimet me partitë e tjera politike parlamentare.

Takimi me partitë ishte një seancë deklaratash që mbaruan me pyetje për portale: "A jeni për zgjedhje, a për qeveri të re", thuajse të mbledhurit duheshin vendosur nëse do të hanin qebapa a dyner. E meqë shumica tha "qeveri të re", Thaçi vendosi që t'i qaset LDK-së dhe që nga ajo të kërkojë caktimin e mandatarit të ri. Se a i shkroi letër Isa Mustafës apo jo, ende nuk e kemi të qartë, ngase letra nuk u bë publike. E besoj se po t'ia kishte nisur edhe një letër Kurtit, do ta publikonte ende pa dalë komunikata nga zyra e tij.