Vështrime

Dëgjimi selektiv i “miqve” të Kosovës

Aleatët, apo thënë më saktë “sponsorët” e pavarësisë së Kosovës, kanë besuar se Kosova vërtet do të pavarësohet. Nuk kanë pritur që për secilën hollësi, përfshirë edhe për probleme të brendshme, do t’i pyesin Amerikën apo Evropën se çfarë të bëjnë. Dhe këshillat e miqve, edhe atëherë kur nuk janë të nevojshme, dëgjohen në mënyrë selektive. Përfshirja e tepruar e faktorit ndërkombëtar në punët e brendshme të Kosovës, që është bërë më shumë nga vetë kosovarët sesa dëshira e të huajve që të përfshihen, dëshmon se politikanët kosovarë ende nuk kanë arritur nivelin e duhur të maturitetit për të udhëhequr një shtet të pavarur dhe të marrin përgjegjësinë e plotë

Para disa vjetësh isha në një takim me një diplomat të lartë amerikan. Ishte një bisedë e lirë, me kafenë e mëngjesit. Ai mundohej të më bindte se si Kosova duhet t’ua japë serbëve në veri një autonomi. Në fakt, thoshte se duhet dhënë diçka më shumë sesa që parasheh Pakoja e Ahtisaarit. Dhe ishte i vetëdijshëm se ajo që duhej dhënë serbëve nuk do të duhej të quhej autonomi. Sepse, e dinte ai, fjala “autonomi” tingëllonte keq në veshët e shqiptarëve të Kosovës.