Vështrime

Lojërat pa kufi

Zgjedhjet e reja edhe mund të shpallen, mirëpo koha nuk do të mund të kthehet mbrapa. Arroganca që e dëshmuan partitë politike në luftën e tyre të paskrupullt për pushtet në kohë të pandemisë, kur i gjithë fokusi, qoftë i opozitës, qoftë i Qeverisë, do të duhej të ishte mbrojtja e popullatës dhe parandalimi i përhapjes së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19, sigurisht se do të dënohet nga votuesi. Ndërrimi diametralisht i kundërt i qëndrimeve të politikanëve për një kohë shumë të shkurtër sigurisht se ka irrituar një numër të madh votuesish

"Nëse ti je një udhëheqës dhe askush nuk të vjen pas, atëherë ti vetëm ke dalë në një shëtitje rasti", është kjo një thënie afgane të cilën një mik i imi e kishte komentuar në Facebookun tim. Kjo thënie më intrigoi, sepse ma kujtoi presidentin tonë Hashim Thaçi, i cili është shndërruar në një udhëheqës që del për shëti. Ç'është e vërteta, nuk është ashtu që bash askush nuk po i shkon mbrapa. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i është shndërruar si një hije dhe lëvizjet e tyre politike janë mjaft të koordinuara. Këta të dy ma çojnë mallin e dy valltarëve të tangos, një vallëzim shumë suptil me pasion dhe finesë. E gjitha kjo do të ishte në rregull sikur muzika të mos ishte tallava. E me muzikën tallava, suptiliteti dhe finesa ikin në pakthim. Ngjarjet politike në Kosovë do t’i analizoj pak më vonë.