Vështrime

E ekzagjeruar frika apo shpresa për marrëveshje të shpejtë Kosovë-Serbi

As Kosova, as Serbia, as BE-ja e as SHBA-ja nuk duken të jenë të gatshme për një marrëveshje të shpejtë Kosovë-Serbi, për të cilën dikush shpreson e dikush i frikësohet. Duken të ekzagjeruara pritjet për një marrëveshje të shpejtë të tillë. Të gjitha këto palë, që kanë rol vendimtar në dialog, kanë shumë prioritete të tjera dhe dialogu mund të jetë pjesë e tyre vetëm nëse u ndihmon në realizimin e interesave të tjera. Prandaj do të ketë një status quo në dialog edhe për një periudhë të gjatë

Frika në Kosovë për një marrëveshje të shpejtë dhe të dëmshme për Kosovën, që do të mund të arrihej mes presidentit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të jetë e kuptueshme. Sepse fjala është për politikanë të cilët mund të jenë të gatshëm të bëjnë çfarëdo marrëveshjeje vetëm për të mbetur në rolin kryesor. Dhe nëse do të arrihej, ajo në Kosovë do të kalonte në Kuvend, me gjithë zotimet se “nuk do të pranojnë një marrëveshje e cila do të prekte kufijtë e Kosovës”. Kuvendi i Kosovës nuk është shquar deri më tash si një institucion me integritet, ku të zgjedhurit e popullit, me vetëdije dhe përgjegjësi, veprojnë në interes të shtetit. Ata më shumë janë shquar si makineri votuese ku, me disa përjashtime, ndjekin urdhrat e shefave partiakë, edhe kur ato qëndrime ndërrohen brenda natës.

Çfarëdo marrëveshjeje që do ta arrinte Hashim Thaçi do të ishte në këto momente e pranueshme për shumicën e deputetëve pakurrizorë në Kuvendin e Kosovës. Ata do t’i dëgjonin liderët e tyre partiakë, e këta të fundit do të bashkoheshin prapa Thaçit. Fundi i fundit, për ta të jenë deputetë është interesi kryesor. Në rast të zgjedhjeve të reja rrezikojnë vendin e mirë të punës, sidomos nëse dalin kundër ideve të shefave. Arsyetimi do të bëhej në stilin “kështu duan amerikanët” e ndoshta edhe “evropianët”. E ata të cilët do të ishin kundër marrëveshjes do të akuzoheshin se janë “antiamerikanë” dhe “antievropianë”. Janë formula shumë të thjeshta, por shumë efikase. Dhe në rastin e Hashim Thaçit janë vërtetuar si efikase. Me përjashtim të Marrëveshjes për “Asociacionin/Bashkësinë” e komunave me shumicë serbe ku u ftua Gjykata Kushtetuese t’i shpëtojë nga situata udhëheqësit politikë duke gjetur elemente në Marrëveshje të jenë kundër Kushtetutës.