Vështrime

Si të shmanget shndërrimi i një rrëfimi suksesi për COVID-19 në një dështim

Si të shmanget shndërrimi i një rrëfimi suksesi për COVID-19 në një dështim

Një letër e hapur Republikës së Kosovës

Unë jam një fizikan dhe shkencëtar për çështjet e kompleksitetit, i trajnuar në Massachusetts Institute of Technology, si dhe ekspert i pandemive. Kam paralajmëruar pandemi globale për shkak të udhëtimeve më të shpeshta të 15 vjetëve të fundit. Kam zhvilluar një plan për monitorim të komuniteteve për të ndaluar Ebolën në Afrikën Perëndimore në 2014, i cili doli me sukses. Tani jam duke i përkushtuar gati të gjithë kohën time parandalimit të përhapjes botërore të nCoV-2019, pjesërisht përmes kërkimeve shkencore të publikuara dhe pjesërisht duke këshilluar qeveri të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë atë të Republikës së Kosovës, lidhur me menaxhimin e krizës së COVID-19.

Në një kohë kur kaq shumë vende të pasura janë duke dështuar në testin e dhembshurisë në menaxhimin e krizës së COVID-19, ka qenë inkurajuese për të parë se Kosova ka kaluar këtë test, duke vepruar me shpejtësi dhe vendosmëri për t’i mbrojtur qytetarët e vet, me një sërë masash parandaluese. Edhe përpara rastit të parë zyrtar, Kosova mbylli shkollat dhe universitetet, vendosi kufizime në udhëtime dhe ndaloi ngjarje publike. Dhe menjëherë pas rastit të parë zyrtar, ajo ishte e përgatitur me një varg tjetër masash, të cilat përfshinë mbylljen e kafeve, bareve, pubeve, restoranteve dhe qendrave tregtare. Më së fundmi, Kosova ka dhënë një urdhër për të qëndruar në shtëpi përveç për nevoja esenciale dhe për operatorë të caktuar ekonomikë. Ky urdhër vazhdon të jetë në fuqi, ndonëse në një formë të moderuar, edhe deri më sot.