Vështrime

Një kapitull i përgjakshëm gjerman

Para 50 vitesh u themelua organizata terroriste gjermane “Rote Armee Fraktion” (Fraksioni i Armatës së Kuqe). Terrori i ekstremistëve të majtë arriti kulmin me vrasjen e kryeprokurorit dhe shefit të Shoqatës së Punëdhënësve të Gjermanisë në vitin 1977. Synim i terroristëve ishte ta diskreditonin shtetin duke e paraqitur si vazhdimësi të nazizmit. Nuk ia arritën, por hapën debate me të cilat Gjermania merret edhe sot, sepse pasojat e terrorit të Fraksionit të Armatës së Kuqe nuk janë tejkaluar ende. Kjo organizatë u shpërbë vetë në prill të vitit 1998. Një pjesë e krerëve të saj janë penduar për të kaluarën terroriste, mes tyre është edhe Silke Maier-Witt, e cila mes viteve 2000-2005 ka punuar në Prizren si aktiviste humanitare dhe tani jeton në Maqedoninë e Veriut. Si ish-terroriste dhe pensioniste. Një kapitull tjetër i historisë së ekstremistëve të majtë gjermanë lidhet me Jugosllavinë e Titos, ku u arratisën disa prej tyre, por vetëm për disa muaj.

Organizata terroriste gjermane Fraksioni i Armatës së Kuqe nuk u themelua në ndonjë sallë apo zyrë. Nuk u mbajt as kuvend themelues. Më 14 maj 1970, si sot para 50 vitesh, një grup ekstremistësh të majtë arritën ta nxjerrin nga burgu Andreas Baaderin, i cili po vuante dënimin për shkak se ia kishte vënë zjarrin një shtëpie të mallrave. Ky aksion konsiderohet si akti themelues i Fraksionit të Armatës së Kuqe (në gjermanisht: Rote Armee Fraktion ose shkurt RAF).