Vështrime

Fati i frikshëm që sjell korona

Mbi hallet e një humoristi austriak, hallet e vërteta të industrisë së mishit në Gjermani dhe popët që gëzohen kur murgeshat infektohen.

1. Një garë me ski

Josef Hader është njëri prej humoristëve më të njohur austriakë. Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” ai ka filozofuar për situatën e krijuar pas shfaqjes së koronavirusit. Një vijim, një përmbledhje e mendimeve më gazmore dhe më të rëndësishme të Haderit, sepse në kohën kur pandemia dalëngadalë ha nervat edhe të budistëve të durueshëm, shpëtimin duhet kërkuar te – humoristët. Thotë Hader: Kancelari ynë (e ka fjalën për Sebastian Kurzin e Austrisë) ka komunikuar mbi pandeminë thua se ajo është një garë me ski, ku katër austriakë zënë tri vendet e para. Vazhdon Hader: Kancelari ynë, siç dihet, është një komunikues shumë i talentuar. Dhe manipulues. Nga njëra anë na ka lavdëruar se sa mirë po i respektojmë rregullat. Në anën tjetër na ka paralajmëruar se çfarë tmerri na pret nëse nuk respektojmë rregullat. Na ka trajtuar si fëmijë të paedukuar ose siç nuk duhet të trajtohen më fëmijët e paedukuar. Thotë Hader: Politikanët e caktuar duhet kritikuar. Por ta kritikosh shtetin me çdo kusht, pa marrë parasysh se çfarë bën – kjo do ta zhvendoste kritikën në nivel të tretjes së ushqimit. Tretja e ushqimit ndodh vetvetiu, pa argumente dhe në bark. Këtë s’duhet ta bëjë kritika. Mosbesimi parimor ndaj shtetit tonë nuk është gjë tjetër veçse mosbesim parimor ndaj demokracisë sonë, ndaj “sistemit”, siç kanë qejf të thonë njerëzit. Me këtë lloj kritike s’dua të kem punë. Vazhdon Hader: Besoj se padrejtësitë do të rriten. Infermieret, shitëset, të gjitha tani befas shihen si heroina. Por ato edhe më tutje do të paguhen keq. Sistemi ynë ekonomik i shpërblen spekulantët, të cilët fitojnë miliona me disa klikime, shumë më tepër se njerëzit që kujdesen për pleqtë. Kjo është çmenduri. Edhe po e shikuam ekonomikisht. Bixhozi nuk ka të bëjë asgjë me ekonominë reale, për askënd nuk është i mirë, përveçse për bixhozçinjtë.