Vështrime

Merreni si shembull Ibrahim Rugovën

Nga politikanët e Kosovës Ibrahim Rugova ka qenë ndër të rrallët që ka mbajtur qëndrim korrekt në raport me zhvillimet politike në Shqipëri. Shumë politikanë kosovarë besojnë se protagonizmi politik në Tiranë i bën patriotë në Prishtinë. Fakti që jo pak politikanë të Shqipërisë me ambicie dëmshkaktuese përzihen në politikën e Kosovës e bën situatën edhe më të ndërlikuar. Rezultati është ky që po e shohim: mes qeverive aktuale të Kosovës dhe Shqipërisë komunikimi është afër zeros, ndërsa polemikat nga distanca pothuaj të përnatshme. Por ky nuk është zhvillim i ri, është vetëm epilog i pritshëm i keqkuptimeve shumëvjeçare. Mjafton të shikohet raporti mes Sali Berishës dhe Hashim Thaçit. E hapën tunelin e Kalimashit duke lavdëruar njëri-tjetrin si patriotë, ndërsa sot e quajnë shoqi-shoqin shërbëtor të Serbisë.

Prej politikanëve të Kosovës mbase vetëm Ibrahim Rugova ka ditur të mbajë qëndrim korrekt ndaj skenës politike të Shqipërisë. Nuk ka ndërhyrë në moçalin e atjeshëm politik dhe nuk është bërë palë e njërit apo tjetrit kamp politik në Tiranë. Më 1997, kur Shqipëria gati u hodh në ajër si pasojë e krizës së piramidave financiare dhe kur shumë kosovarë (mes tyre edhe zëra publikë si profesorë e publicistë mendjelehtë) nguteshin të pozicionoheshin o me Sali Berishën, o me “banditët e jugut”, Rugova lëshoi një deklaratë të matur që afërsisht tingëllonte kështu: ne në Kosovë po i përcjellim me shumë shqetësim zhvillimet në Shqipëri, shpresojmë që partitë do të gjejnë gjuhë të përbashkët për qetësimin e situatës. Paramendojeni Rugovën më 1997 nëpër studio televizive duke bërë thirrje për demonstrata të “berishistëve” kundër të djegurve nga rrënimi i piramidave financiare. Nuk mund ta paramendoni! Në atë kohë jo vetëm një pjesë e madhe e elektoratit të LDK-së, partisë së Rugovës, por edhe pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës nuk kishin fare mirëkuptim për kryengritjen e armatosur të atyre që kishin humbur paratë në aventura financiare dhe tani po shndërroheshin në ushtri ilegale të Partisë Socialiste për të kapur pushtetin, të cilin – për hir të së vërtetës - Berisha e kishte keqpërdorur rëndë. Përballë këtij ballafaqimi ekstrem, Rugova nuk pranoi të acarojë situatën duke mbajtur anë në Tiranë. Një fushatë populliste kundër socialistëve dhe në favor të demokratëve gjithsesi do të ndezte masat në Kosovë. Por ky nuk ishte opsion për Rugovën.