Vështrime

Ekonomia sot: mes murtajës e kolerës

Çdo medalje ka dy anët e saj. Ashtu edhe kjo krizë...

Virusi Covid-19 që shpërtheu në Wuhan të Kinës dhe për pak javë përfshiu globin, duke shkaktuar njërën nga pandemitë më të mëdha të historisë moderne, solli me vete një krizë të re globale ekonomike, e cila po shndërrohet në krizën më të ashpër që nga Depresioni i Madh i viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Gjykuar nga historia, krizat, qofshin ato shëndetësore a ekonomike, apo si në këtë rast të dyja bashkë, mund të sjellin edhe një krizë globale politike me pasoja vështirë të parashikueshme.

Çdo medalje ka dy anët e saj. Ashtu edhe kjo krizë. Për shkrimtarin zviceran Max Frisch krizat janë një gjendje produktive, nëse atyre u hiqet shija e katastrofës. Vetë fjala krizë në alfabetin kinez përbëhet nga dy shenja: njëra për rrezikun dhe tjetra për shansin. Pra, si rezultat tjetër i kësaj krize mund të dalin disa aspekte pozitive, që mund të lehtësojnë sfidat me të cilat ballafaqohet ekonomia globale tash e sa decenie. Krizat pra, ofrojnë shanse për të mirën dhe për të keqen, për vesin dhe për virtytin. Nga to do të ketë humbës, por mund të ketë edhe fitues. Sot, shansin e tyre po e shohin si sistemet liberale demokratike ashtu edhe ato antidemokratike e autokratike, si ekonomia e lirë e tregut ashtu edhe etatizmi, si globalizimi ashtu edhe rinacionalizimi e regjionalizimi.