Vështrime

"Mandela Effect" dhe Gjykata Kushtetuese

Gjatë kësaj periudhe të pritjes dëgjuam me dhjetëra variante të interpretimeve se cili do të duhej të ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të dhëna këto nga gjithologët e shumtë të cilët frekuentojnë nëpër studiot e shumta televizive, e edhe nga ekspertë të ndryshëm kushtetues, të cilët gjithashtu kanë qenë disa nga përpiluesit e kësaj kushtetute. Kam bindjen që pas 30-40 vjetësh do të dalin interpretime të ndryshme nga njerëz të cilët në atë shtrirje kohore do ta shpjegojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese pro Dekretit të Hashim Thaçit, apo pjesa tjetër e cila do ta shpjegojë kujtesën e tyre se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur kundër Dekretit të presidentit Thaçi. E gjithë kjo si pasojë e "Mandela Effect"

Më herët pata shënuar në Ditarin tim se si pranvera kishte arritur shumë më herët sivjet. Për të vazhduar me të njëjtin trend, edhe vera ka mbërri shumë më herët sivjet, dhe gjysma e dytë e majit na gjen me temperatura 28°C në Londër. Veçse e kam idenë se me çfarë temperaturash do të përballemi në muajt korrik dhe gusht. Pandemia dhe karantina ende qëndrojnë aty për të na e rikujtuar se sa i çmendur ka qenë ky vit dhe sa i çmendur vazhdon të jetë.

Në këto çmenduritë të cilat na i solli natyra në pjatat tona nuk mungojnë as ato çmenduritë tona si popull, pa të cilat ne nuk mundemi. Shembull për këtë sigurisht do të ishte tashmë i shumëfoluri dhe i komentuari rrënimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë në orë të vona të vikendit në kohë pandemie dhe karantine. Nuk dëshiroj që ta shtjelloj më tutje si temë, pasi që u tha shumë dhe vështirë se do të mund të thosha diçka të cilën tashmë veçse nuk e keni dëgjuar, mirëpo ia vlejti që ta veçoja si shembull i çmendurisë tonë.