Vështrime

Kissingeri ndër ne

Shumica e kosovarëve nuk e sollën kapjen e shtetit, por shumica e kosovarëve lejuan që shteti të kapej. Fakti që kapësit simbolizohen nga varfëria mendore e H.Thaçit nuk flet aq për epërsinë e kapësve sa për dobësinë e shoqërisë.

1. 

Ka ditë që po lexoj disa libra të lënë manash për kohë më të mira dhe njëkohësisht  u kthehem herë pas here aktualiteteve, një konflikt i tmerrshëm mes narracioneve, përjetuar brenda ca minutash. Përfaqësuesi më i spikatur i varfërisë mendore në Kosovë sot e disa vjet, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Albin Kurti dhe grupi i tij duhet të ballafaqohen me drejtësinë. E shqiptuar prej një njeriu që personifikon kapjen e shtetit- për aq sa në Këshillin e Evropës është miratuar një dokument zyrtar ku emërtohet “grupi i Hashim Thaçit”-do të duhej të shkaktonte një kombinim përqeshjeje dhe druajtjeje për arsye të njëjta. Pra, është fyerje intelektuale që një person i tillë të flasë për “grupe” e për “ballafaqim me ligjin”, por fakti se është fyerje intelektuale nuk e amniston rrezikshmërinë e deklaratës. Varfëria mendore nuk është e parrezikshme- përkundrazi. Një gazetar e shkrimtar jo shumë i njohur amerikan , E.W. Howe, kishte lënë disa fjalë për t’u cituar e njëra prej tyre na hyn në punë sot. “Hajni beson se çdokush vjedh”.