Vështrime

“Contour Global”, 20 milionë euro dhe debati për karkalecat

Kosova nuk i ka asnjë borxh kompanisë “Contour Global”. Kërkesa për t’ia paguar 20 milionë euro në emër të kompensimit është kërkesë investitorësh të papërgjegjshëm që hidhen si karkaleca kundër vendeve të varfra për t’ua pirë gjakun. Tani drejtësia duhet të hetojë ata pushtetarë të dikurshëm të Kosovës që vetëm për këshilltarë për projektin “Kosova e Re” kanë djegur rreth 20 milionë euro

Kompania “Contour Global” pati nënshkruar një kontratë me qeverinë e mëparshme për ndërtimin e një termocentrali në Kosovë. Kontrata ishte e mirë për “Contour Global-in”, e mirë edhe për pushtetarët e atëhershëm - dhe e dëmshme për qytetarët e Kosovës. Shteti dhe qytetarët e Kosovës do të bëheshin argatë të një kompanie duke marrë përsipër shumë obligime, mes tyre edhe blerjen e tërë energjisë që do të prodhonte termocentrali i ri i “Contour Global-it” (kuptohet me çmim të caktuar paraprakisht, deri në 80 euro për megavat).

Fillimisht u tha se projektin e termocentralit do ta përkrahë Banka Botërore. Ky institucion financiar u tërhoq për shkak se nuk financon më projekte të prodhimit të energjisë me qymyr. Projektin e kritikuan edhe shumë aktivistë për mbrojtje të ambientit, të cilët nga përfituesit potencialë të projektit të termocentralit u akuzuan se “po punojnë për Rusinë”. Natyrisht pa asnjë fakt.