Vështrime

Kidnapimi i vullnetit qytetar është lojë e rrezikshme

Nëse në Izrael, në demokracinë e vetme në Lindjen e Afërt, brenda një viti janë organizuar tri palë zgjedhje parlamentare, pse në Kosovë s’mund të organizohen - brenda 6 apo 9 muajve - zgjedhje të reja? Më 6 tetor 2019 LDK ka marrë vota gati aq sa VV me premtimin se nuk do të kthehet në gjirin e partive të korrupsionit dhe klientelizmit. LDK mund të kthehet aty ku ndihet më mirë, por për këtë duhet t’u drejtohet qytetarëve brenda një afati të arsyeshëm. Nëse votuesit e përkrahin në këtë projekt, nuk ka askush të drejtë ta kontestojë vullnetin e shprehur. Por ambicia për të sunduar deri më 2023 apo 2024 me shumicë tjetër parlamentare duke deformuar vullnetin qytetar të 6 tetorit 2019 është lojë e rrezikshme – në radhë të parë e kryetarit të LDK-së, i cili është duke e mbivlerësuar peshën e tij politike dhe duke i shkaktuar dëm të madh rendit demokratik në Kosovë.

Përpjekja e kastës së vjetër për të krijuar një qeveri të re mund të jetë formalisht e ligjshme, por në aspektin demokratik është një lojë e rrezikshme – sidomos për shkak të mungesës së një plani se kur do të mbahen zgjedhjet e reja. Madje partitë që po duan të bëjnë një diçka si qeveri as që po e përmendin idenë e zgjedhjeve të reja. Kasta e vjetër ka një tendencë të sundojë deri në vitin 2023 apo 2024 pa iu nënshtruar votës së qytetarëve dhe duke përjashtuar dy politikanët tani për tani më të popullarizuar në Kosovë – Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Në Izrael brenda një viti janë organizuar tri palë zgjedhje. Pse në Kosovë brenda 6 apo muajve nuk është e mundur të mbahen një palë zgjedhje?