Vështrime

Vendimi i Kushtetutës duhet të respektohet, por edhe të kritikohet

Gjykatat kushtetuese nuk janë gjykata klasike. Ato nuk shpallin dënime dhe nuk sanksionojnë. Por pasi janë autoriteti më i lartë i interpretimit të Kushtetutës, vendimet e këtyre gjykatave duhet të respektohen. Por mund të kritikohen, sepse edhe ato gabojnë. Paramendojeni sikur Qeveria gjermane ta respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë. Do të merrte fund BE-ja

Kosovarët janë mësuar të jetojnë në optimizëm dhe në iluzione. Disa pritje u janë realizuar. Kosovën e çliruan luftëtarët e saj dhe NATO-ja. Kosova u shpall edhe e pavarur si shtet dhe u njoh nga shtetet kryesore të botës. Por se Kosova do të zhvillohet, do të jetë shtet funksional, do të ketë nivel të ulët të korrupsionit dhe krimit të organizuar, se njerëzit do të duan të jetojnë në të e jo të largohen, u dëshmuan të kenë qenë iluzione. Iluzione u dëshmuan të kenë qenë edhe pritjet se do të liberalizohen vizat, sepse nuk u liberalizuan.

Iluzione kanë pasur kosovarët edhe kur kanë besuar se në zgjedhjet e fundit kanë votuar për ndryshime. Sepse nuk mund të quhet votë për ndryshime nëse aq shumë vota kanë marrë LDK e pandryshuar, PDK dhe parti të tjera që kanë qenë në pushtet. Është naive të fajësohet LDK-ja për tradhti. Sepse ka qenë iluzion të besohet se ajo parti është për ndryshime nëse brenda vetes nuk është ndryshuar. Ai që mashtron një herë ka faj. Ai që mashtron dy herë ka faj edhe mashtruesi, edhe i mashtruari. E kur mashtron të tretën herë nuk ka më faj mashtruesi, por i mashtruari. Prandaj nëse Isa Mustafa na i paska mashtruar prapë votuesit, kanë faj vetë votuesit.