Vështrime

Jeta e tij

Marcel Reich-Ranicki ishte një personalitet shekullor jo vetëm si kritik letrar në Gjermani. I lindur më 2 qershor 1920, ai sot do të mbushte 100 vjet. Një përkujtim

Sot, më 2 qershor 2020, Marcel Reich-Ranicki do t’i mbushte 100 vjet. Kush ka qenë Marcel ReichRanicki? Hebre i Polonisë, i mbijetuar i getos së Varshavës, kritiku më i madh letrar në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore. Papa i letërsisë – kështu e kanë quajtur mediat gjermane. Mes viteve 1973-1988 drejtoi rubrikën e letërsisë të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ishte kritik letrar në “Spiegel” dhe “Die Zeit”, anëtar jurish, kolumnist, yll televiziv me emisionin “Kuarteti letrar”, autor (kujtimet e tij “Jeta ime” janë monumentale, për këtë më shumë në fund të këtij teksti). Tani, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Marcel Reich-Ranickit, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” ka botuar disa letra që kritiku letrar u ka dërguar shkrimtarëve. Ishte koha kur shkruheshin letra, kur nuk kishte email. Në këto letra lexuesi njihet me kritikun letrar që herë është i hareshëm, herë i ashpër. Në vijim po sjellim letrën që Reich-Ranicki ia dërgonte shkrimtarit Wolfgang Koeppen, më 3 nëntor 1989, si shembull i elegancës gjuhësore dhe respektit për një shkrimtar.

“I dashur zoti Koeppen, më në fund dua t’ju bëj vizitën time me shkrim për t’u njohur me ju. Nuk njihemi dhe për këtë më vjen shumë keq. Sepse, natyrisht, edhe unë, si çdokush që ka pak haber për letërsinë, jam një adhurues dhe dashurues i veprave tuaja. Shumë kam qejf t’jua them këtë gjatë një bisede. “Rinia” (roman i Koeppen, v.j.) është një nga përvojat e mëdha letrare që kam bërë në letërsinë bashkëkohore gjermane. Me xhelozi e trishtim të madh po e shoh se ju dikur keni shkruar herë pas here për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Xhelozi e trishtim për shkak se që një kohë të gjatë nuk e keni bërë këtë për ne. A guxoj, i dashuri zoti Koeppen, t’ju pyes nëse ju ndoshta keni diçka që ne do të mund të publikonim, qoftë kjo ese apo tregim. Ose: a ka ndonjë libër për të cilin me qejf do të shkruanit një recension për ne? Më kallëzoni në çdo kohë. Duhet ta dini se ne përherë jemi këtu për ju.