Vështrime

Kosova me jostabilitet të shumëfishtë

Në kohën kur njerëzit vdesin nga pasojat e koronavirusit, kur gjysma e të testuarve dalin të infektuar dhe s’ka kapacitete për testime masive, kur kapacitetet në spitale janë para kolapsit, është jo vetëm papërgjegjësi, por edhe idiotizëm që temë kryesore të jetë kush do të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Vuçiq, në Washington apo Paris. Jostabile është edhe qeveria, edhe politika, edhe shëndetësia, edhe ekonomia. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por këto jostabilitete janë krijuar nga vetë liderët politikë

Para disa muajsh Kosova mburrej me numrin e vogël të të infektuarve dhe merrte edhe lëvdata nga jashtë për mënyrën se si po përballej me sfidën e parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Në të njëjtën kohë në Belgjikë numëroheshin jo vetëm të infektuarit, por edhe të vdekurit.

Belgjika ishte dhe për momentin mbetet shteti me pasojat më të rënda në botë nga kjo pandemi për jetën e njerëzve nëse krahasohet me numrin e banorëve. Në një shtet prej 11 milionë banorësh deri më tash kanë vdekur më shumë se 9600 persona.