Vështrime

Nuk duhet të krenohemi me ata që po na turpërojnë

Një numër i konsiderueshëm i çlirimtarëve të rëndësishëm, që shpresonin se do të shndërroheshin në idhuj të lirisë kombëtare, kanë detyrim ndaj Gjykatës Speciale, e cila hodhi dyshime për kryerjen e krimeve të luftës. Në vend se të shndërrohen në aksioma të çlirimit, lirisë dhe krenarisë kombëtare, potencialisht po shndërrohen në shkaqe të korrigjimit të detyrueshëm të çlirimit kombëtar

Isha në mesin e grupeve të para që pas Marrëveshjes së Kumanovës ktheheshim nga Shqipëria, përmes Maqedonisë, në Kosovë... Rrugës na shoqëronin automjetet ushtarake, ndërsa nga ajri helikopterët e NATO-s. Kur iu afruam Prishtinës turmat e ngazëllyera në eufori të paparë përshëndetnin deri në përkulje trupat e NATO-s. Sa më thellë hynim në qytet, aq më të theksuara ishin ekzaltimet e qytetarëve kur defilonin edhe disa ushtarë të uniformuar të UÇK-së...

Disa ditë dhe javë pas ngarendnin qytetarët për t’u kthyer në Kosovë duke shpresuar se liria është e vetëmjaftueshme për të ndërtuar të ardhmen me jetë dinjitoze. Nuk kuptuam apo nuk deshëm të kuptonim se ne do të bëheshim të lirë me vendimin tone duke u mos pajtuar me gjendjen që po krijohej. Ne rezistuam me shekuj për të mos iu nënshtruar lirimarrësve që nuk dëshmuan as ndërgjegje. Fatkeqësisht njëzet vjetët e kaluar të pasluftës ëndrrën e shumicës, veçmas të rinjve, e tretën. Në vend se së bashku me çlirimtarët të realizonin ëndrrën shekullore për t’u bërë më të mirë në Kosovë, Kosovën e shndërruam në vend të pashpresë. Fatkeqësisht, me fajin tonë, erdhëm në pozitë që një numër i konsiderueshëm i çlirimtarëve të rëndësishëm me shpresë se do të shndërroheshin në idhuj të çlirimit dhe lirisë kombëtare po i detyrohen Gjykatës Speciale për krime të luftës! Në vend se të shndërrohen në aksioma të lirisë dhe krenarisë kombëtare, potencialisht po shndërrohen në shkaqe të korrigjimit të detyrueshëm të çlirimit kombëtar!