Vështrime

Një prokurore që e mbron Kosovën: Valbona Haxhosaj!

Një vrasje me pagesë, 49 vjet burg, një rrjet kriminal me shtrirje deri në Zvicër – dhe një prokurore e guximshme nga Peja që nuk tërhiqet edhe kur kriminelët e kërcënojnë se do t’ia djegin fëmijët. Dhe kidnapojnë burrin.

Nuk e di nëse keni dëgjuar për Valbona Haxhosajn. Me gjasë jo. Në zhurmën e përditshme që e shkaktojnë kacafytjet në parlament dhe kacafytjet nëpër studio televizive, emra të tillë, edhe kur shquhen për heroizëm, në shoqërinë kosovare injorohen. Valbona Haxhosaj është prokurore në Pejë. Grua. Nënë. Qytetare e Kosovës. Juriste. Valbona Haxhosaj është kërcënuar nga një grup kriminal se do t’ia djegin fëmijët nëse nuk tërhiqet nga një lëndë. E kanë kërcënuar se do t’ia kidnapojnë burrin. Valbona Haxhosaj nuk është tërhequr. Nuk është dorëzuar. Grupi kriminal ka provuar të kontaktojë edhe njerëz të politikës dhe udhëheqës të veteranëve të luftës për ta “rregulluar” këtë rast. Prokurorja prapë nuk është dorëzuar.