Vështrime

Kur është fjala për para nuk vlejnë as aleancat brenda BE-së

Në pazaret që u bënë mes shteteve të BE-së që sollën deri tek pajtimi për dy paketat kryesore financiare në vlerë prej mbi 1800 miliardë eurosh nuk ka humbës. Se sa janë fitues të vërtetë ata që pretendojnë do të dihet vetëm pas shtatë vjetësh, kur të shihet se sa u kanë ndihmuar miliardat nga këto fonde që të dalin nga kriza dhe të jenë më rezistues ndaj krizave të ardhshme

Ka shumë gjëra që Bashkimi Evropian ka arritur t’i zgjidhë pa pasur nevojë që liderët e vendeve anëtare të takohen sy më sy. Por nuk ishte e mundur që në të njëjtën mënyrë të pajtoheshin edhe për dy mega paketa financiare nga të cilat do të varet ardhmëria e Bashkimit Evropian. Jo vetëm se u desh të shiheshin fizikisht, por edhe samiti i tyre në vend të dy ditëve zgjati pesë ditë. Dhe në fund të martën, herët pak para orës 5 të mëngjesit, në ditën e festës kombëtare të Belgjikës, ish-kryeministri i këtij shteti e tash president i Këshillit Evropian, Charles Michel, me buzëqeshje dhe i relaksuar, përkundër lodhjes, ishte në gjendje të thoshte: “Ia dolëm”. Në këtë mënyrë me sukses përfundoi samiti maratonik i BE-së, duke ia tejkaluar edhe atij të Nices nga viti 2000, i nisur qysh në mëngjesin e së premtes, më 17 korrik.