Vështrime

Kaos, papërgjegjësi, cinizëm

Kjo qeveri nuk është në gjendje të kontrollojë situatën me pandeminë. Kosova dhe korona janë në autopilot. Numri i të vdekurve dhe të infektuarve po shtohet në mënyrë dramatike. Kabineti duket i përçarë, disa janë për dasma, disa kundër dasmave, disa për izolim 7-ditor të qytetarëve që kthehen në Kosovë, disa kundër izolimit. Situata është bërë dramatike për shkak se kjo qeveri nuk gëzon autoritet në opinionin e gjerë publik

Ky është një koalicion qeveritar që në radhë të parë interesohet për poste, përfitime dhe pazare. Madje këtë e bën edhe në kohë pandemie. Kryetari i një partie të vogël ka plane të mëdha – thotë: grahni dasmave, mos u ndalni. Lehtësia me të cilën e thotë këtë, është frikësuese duke pasur parasysh numrin rekord të të vdekurve nga virusi. Si mund të jetë një kryetar partie gati po aq i papërgjegjshëm sa një këngëtar dasmash? Çdo ditë po vdesin nga 8, 7 apo 5 veta. Numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i madh për shkak se me gjasë në statistikë figurojnë vetëm ata që janë testuar dhe kanë rezultuar pozitivë. Zyrtarisht rreth dyqind njerëz kanë vdekur tashmë. Numri i viktimave ka shënuar rritje të tmerrshme sapo kjo qeveri mori pushtetin.

Ka komuna ku njerëzit po presin të testohen dhe nuk po arrijnë të testohen. Sepse po testohen politikanët dhe familjarët e tyre. Po testohen ata që kanë lidhje, deputetë, ish-deputetë, të ashtuquajtura “figura publike”. Ligji e Kushtetuta i konsideron të gjithë qytetarët të barabartë, por si te romani “Ferma e kafshëve” i George Orwellit edhe në Kosovë të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë.