Vështrime

Vjeshta që filloi në korrik

Kosova është po aq e varfër, shkallmuar në kapacitetet e veta shëndetësore dhe e shtrydhur nga derdhja korruptuese e parasë publike, por gjatë pranverës kishte besim kolektiv se do t’ia dilte mbanë dhe e mbajti nën kontroll virusin. Tashmë nuk ka besim kolektiv, tashmë çdo njëri e mbron veten dhe pret se kur do të trokasë në derën e tij

1.

Para një muaji e ca më pyeti berberi se a njoh dikë personalisht të sëmurë me COVID dhe ndonëse i befasuar me pyetjen, të dëgjuar për herë të parë në këtë formulim, e gjeta veten sërish të befasuar me faktin se nuk kisha asnjë të njohur, dikë që do të mund ta identifikoja personalisht të ishte i tillë. Ai më tha se në komunën e tij, të Obiliqit, njihte katër. Perceptimi që kishim për COVID-in ishte i natyrave krejtësisht të ndryshme, tek ai kishte marrë forma njerëzish me të cilët kishte këmbyer fjalë, të cilëve u kishte mbajtur mend diçka prej historisë personale. Koronavirusi tek ai ishte më afër, kishte trokitur në dyert e komshinjve, në dyert e mëhallës.