Vështrime

Tregimi i shkurtër i Hemingwayit në Kosovë

Si po i prin Kosova COVID-it në botë

1.Në qarqe letrare të shekullit të kaluar përflitej se si u vu bast se kush mund ta shkruante tregimin më të shkurtër dhe se këtë bast e fitoi Ernest Hemingway. Pra, si ngjarje e vërtetë a jo, në përfoljet letrare do të hyjë ky si tregimi më i shkurtër në historinë e letërsisë: ‘Shiten: këpucë bebesh. Të papërdorura’.

Tregimi prej pesë fjalësh (në anglisht gjashtë) do të duhej të ilustronte se si ngërthehet e tërë një dramë njerëzore me sa më pak përshkrim. Diçka ngjashëm më tingëlloi një tregim që nuk është letrar, dhe që në formë të një informate burokratike të State Department ruan gjuhën prej emocionit letrar. E, megjithatë, Ambasada amerikane në Prishtinë lëshoi një kumtesë që përshkruan Kosovën kështu: ‘Përkeqësimi i aftësisë për t'u marrë me pacientët Covid-19, mungesa e furnizimeve dhe masat e pazbatuara të sigurisë që rezultojnë në një nga nivelet më të larta të reja të infeksioneve të Covid- 19 për frymë në botë’.