Vështrime

Në dëm të fëmijëve

Mësimi online do të duhej të ishte opsioni i fundit, jo i pari. Autoritetet arsimore të Kosovës duhet të bëjnë çmos që nga 1 shtatori të hapen shkollat. Sipas shkencëtarëve gjermanë pa mësim në objekte shkollore nxënëset dhe nxënësit nuk e kalojnë as gjysmën e kohës së zakonshme për të mësuar, pa mësim me prani fizike nxënësit – sidomos ata që janë pak më të dobët – vendnumërojnë dhe rrezikojnë të mbesin të vetmuar në shumë aspekte. Por eskalimi i situatës me pandeminë në Kosovë (jo vetëm me fajin e qeverisë) rrezikon t’i mbajë nën dry shkollat edhe pas 1 shtatorit.

Edhe tri javë do të duhej të fillonte viti shkollor edhe për mijëra fëmijë të Kosovës. Por deri më tani ka vetëm paralajmërime se viti shkollor “mund të vazhdojë online”. Kështu ka thënë ministri i Arsimit para një muaji. Ai po ashtu ka treguar se janë ndarë 1 milion euro për blerjen e teknologjisë informative, domethënë për blerjen e pajisjeve për mësim online.

Që mësimi online nuk është zgjidhje afatgjatë, e tregojnë studimet e instituteve serioze. Mbyllja e shkollave është një ndërhyrje masive në jetën e familjeve dhe në shanset e fëmijëve dhe të rinjve për një të ardhme me perspektivë, shkruante së fundi “Süddeutsche Zeitung” në një koment, ku argumentohej se shteti dhe shoqëria duhet të bëjnë çdo gjë që është e mundur që shkollat të mbahen të hapura.