Vështrime

Nuk do të ketë së shpejti marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Përderisa Kosova insiston se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet nëse nuk është pjesë e pakos që nënkupton njohje të ndërsjellë, Serbia insiston se do të flitet për gjithçka pos për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e BE-ja nuk sqaron se cili është qëllimi i dialogut, pse nuk mund të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje konkrete, por për blerje kohe në dialog. BE-ja nuk do të jetë e zhgënjyer nëse nuk do të ketë marrëveshje, sepse dështimin do t’ua faturojë palëve. E vetmja pasojë që Lajçaku mund ta ketë në rast të dështimit të dialogut është që t’i vazhdohet mandati, që për dikë do të ishte më shumë shpërblim sesa pasojë

Kur kishte filluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së, në Kosovë kishte shumë rezerva dhe kundërshtime. Pasi kanë kaluar gati dhjetë vjet duhet rikujtuar se rezerva ndaj dialogut kishin shumë parti politike dhe shoqëria civile. Kundër çfarëdo dialogu me Serbinë ishte vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Vetëvendosja pohonte se me Beogradin nuk ka çfarë të bisedohet. E shoqëria civile dhe partitë që nuk ishin në pushtet në atë kohë argumentonin se dialogu duhet të përgatitet mirë dhe duhet të dihet se cili është qëllimi i tij. Kërkonin që të sqarohet se për çfarë është e për çfarë jo ky dialog. Duhet rikujtuar po ashtu se dialogu u shfrytëzua mirë nga Serbia për të devijuar vëmendjen nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila u shpreh se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kështu, prej atëherë e deri me sot Serbia arriti ta paraqesë dialogun si vazhdimësi të negociatave për “çështjen e Kosovës”, duke pasur këtu edhe ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian, që asnjëherë nuk e sqaroi publikisht se dialogu nuk është për statusin e Kosovës, sepse negociatat për statusin ishin kryer.