Vështrime

Lojë fjalësh, fushata dhe gallata

Një tjetër deklaratë e emisarit të Donald Trumpit për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e për mua si qasje shumë problematike, ka të bëjë me denigrimin e mëtutjeshëm që fjala luftë e kishte pësuar në Kosovë, e cila fjalë ishte zëvendësuar me fjalën konflikt qysh nga koha e UNMIK-ut. Richard Grenell tashmë këtë fjalën konflikt e devalvon në fjalën konflikt të perceptuar, gjë që e lë të hapur edhe mundësinë që ai konflikt të mos ketë ndodhur fare në të kaluarën, sepse është vetëm perceptim se ai mund të ketë ndodhur

Të shkruash Ditar një herë në javë dhe të mbetesh aktual me temat dhe vrullin e ngjarjeve të cilat ndërlidhen me Kosovën, si dhe ngjarjet në botë, nuk është aq e lehtë dhe e thjeshtë. Të shkruash dhe të tentosh që të thuash diçka që veç nuk është thënë mbi takimin dhe zotimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë në Washington, është edhe po aq më e vështirë. Por ashtu siç e kërkon Ditari, gjithsesi edhe unë do të ndalem pak në ngjarjen e 4 shtatorit 2020 dhe ta jap shpjegimin e gjithë asaj e cila ndodhi aty, nga këndvështrimi im.

A ishte ky një takim historik? Jo. A kishte ndonjë marrëveshje historike? Jo. E pse pra ngrihet aq shumë bujë? Kur disa nga analistët dhe gazetarët e paktë të cilit do ta meritonin këtë titull meritor thoshin se Trump dhe administrata e tij po e bënin këtë marrëveshje qysh para qershorit për qëllimet e veta elektorale, të gjithë ata të cilët e mbajtën këtë qëndrim u përqeshën nga pjesa tjetër e gazetarëve e analistëve të servilosur deri në palcë. Edhe unë në Ditarin tim i kisha shkruar argumentet e mia se pse edhe unë besoja që involvimi dhe mënyra e qasjes së kësaj administrate amerikane ndaj zgjidhjes së problemit midis Kosovës dhe Serbisë ishte se ajo do ta bënte të gjithë këtë për vjeljen e ndonjë vote elektorale.