Vështrime

Atdhe, në shumës

Atdhe nuk është vetëm toka. Janë njerëzit. Vendet ku rrimë. Vendet ku flasim. Vendet ku diskutojmë. Vendet ku gëzohemi. Vendet ku qajmë. Atdhe është gjuha. Dialekti, sidomos. Atdhe është aty ku e ke përshtypjen se të njohin edhe lisat. Atdheun e bart me vete edhe atëherë kur ndodhesh diku larg, por edhe kur je afër. – Shënime për atdheun në kohën e pandemisë

Më 1974, pra para gati një gjysmë shekulli, shkrimtari gjenial zviceran Max Frisch, i cili e meritoi, por s’iu dha “Nobeli” për letërsi, me rastin e pranimit të çmimit “Friedrich Schiller” mbajti një fjalim falënderues në Zürich. Frisch pyeti: çka është atdheu? Sipas fjalorit të gjuhës gjermane DUDEN, atdheu është aty ku dikush ndihet si në shtëpi, një vend, një pjesë e një vendi, një lokalitet ku je (lindur dhe) rritur, ku e ke vendbanimin e përhershëm apo ku ndihesh apo je ndier mirë. Atdheu e ka një problem: nuk ka shumës. Nuk mund të kesh (disa) atdhe. Së paku sipas fjalorit.